Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka kërkuar që të mos shfrytëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për qëllime politike, duke i bërë thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që të emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në këtë institucion.
Sipas Gjoshit, Kosova është në prag të zgjedhjeve dhe përveç shpalljes së datës, u.d. e presidentes duhet të nënshkruajë edhe dekretin për emërimin e përfaqësuesit të dytë të PDK-së në KQZ.
Ai paralajmëroi se mosemërimi i këtij përfaqësuesi do të përbënte shkelje të Kushtetutës dhe do të dëmtonte përfaqësimin opozitar në institucionin përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, duke rrezikuar edhe legjitimitetin e tyre.
Gjoshi theksoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë mbajtur për Kuvendin e Kosovës, ku kanë hyrë katër grupe parlamentare. Në këto rrethana, sipas tij, për shkak të mungesës së gjashtë grupeve parlamentare, anëtarët shtesë në KQZ duhet të emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, konkretisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK.
“Andaj, në rrethana të tilla, meqenëse pas këtyre zgjedhjeve në Kuvend ishin vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai shtoi se Kosova ka nevojë për zgjedhje të lira, të drejta dhe të pranuara nga të gjithë akterët politikë dhe qytetarët, e jo për procese zgjedhore, legjitimiteti i të cilave mund të vihet në pikëpyetje.
“Askush nuk duhet që të shfrytëzojë KQZ-në për të arritur qëllime politike përmes përfaqësimit jokushtetues. Askush nuk mund ta përdorë KQZ-në për përfitime politike, në kundërshtim me rendin kushtetues”, shkroi tutje Gjoshi.









