Parandalohet kontrabandimi i rreth 150 kilogramëve duhan nga Serbia

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka organizuar në shpejtësi një aksion për të parandaluar një rast të kontrabandimit të mallrave të cilat po hynin ilegalisht nga Serbia në Kosovë, konkretisht përmes fshatit Novosellë të Komunës së Kamenicës.

Policia në njoftim ka thënë se dyshohet që shtetasi serb, kishte depërtuar ilegalisht në territorin e Kosovës, me ç’rast atij iu zunë 155 kilogramë duhan.

Ai u vëzhgua intensivisht nga policia dhe pastaj është ndaluar. I dyshuari i cili sipas policisë është 59 vjeç me vendbanim në Serbi, po voziste një veturë me ngjyrë të zezë dhe me targa VR.

“Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, zyrtarët policorë kanë zbuluar dhe kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme të duhanit të dyshuar të kontrabanduar, të markave të ndryshme, konkretisht: 310 pako duhan nga 500 gramë secila, me peshë totale rreth 155 kilogramë; 41 paketime të zbrazëta, të gatshme për tregtim ilegal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sasia e duhanit, dyshohet se ishe e destinuar për tregun illegal me qëllim shmangien e procedurave dogane dhe përfitimi i kundërligjshëm financiar.