Qeverisjes më shumë se shtatëdhjetëditore krejt rastësisht i dha emër një deputet i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje: “Qeverisja karate”. Term që u përdor me të madhe në dy ditët e fundit kur VV-ja pa kuorum bëri përpjekje të kishte një presidente të vetin për Kosovën.
Naim Bardiqi në ditën kur partia e tij nisi përpjekjen për zgjedhjen e presidentit që rrezikonte shkeljen e Kushtetutës për shkak të mungesë së kuorumit prej 80 deputetëve, me një mesazh po i tregonte dikujt për përpjekjet që pushteti po e “zgjedh karate” presidentin.
Mesazhi i tij nxiti reagime të ashpra për mënyrën se si pushteti i VV-së në krye me Albin Kurtin po bënin përpjekje të zgjedhnin presidentin. Qe ky mesazh që zbuloi edhe planin e Kurtit për emrin e presidentit në mënyrë krejt kundërkushtetuese.
Bardiqi është arsyetuar se e përdori për “sarkazëm”, por përdorimi i përditshëm i termit “po e zgjedhim karate” jep kuptimin se po i shmangnin procedurat për të kryer këtë proces, ose më shqip: “po i binin shkurt”. Diçka që nuk ka lidhje me sarkazëm. Pastaj u ankua për cenim privatësie. Edhe kjo është e pavërtetë sepse ka vendim për çështjen e privatësisë gjatë seancave të Kuvendit.
“Vendi është vendi i punës për deputetin, prandaj mesazhet në privat nuk e konsideroj se janë për publikun. Edhe ato mesazhe, siç e thashë, janë me sarkazëm. Pra, prej këtu i kërkoj falje nëse ka pasur ndonjë rezon, qoftë për Lëvizjen Vetëvendosje, për qytetarët dhe votuesit. S’ka të bëjë me asgjë, as ofenduese, as asgjë”, ka deklaruar ai.
Bardiqi, ka shtuar se ka qenë bisedë mes miqsh.
“E keni parë që është në thonjëza, domethënë si një fjalë me sarkazëm e përdorur, e që thjesht nënkupton se edhe në mungesë të opozitës, deputetët e mazhorancës do të bëjnë votimin sipas rregullave dhe procedurave. E dëgjuat edhe tash kryeparlamentarin, ushtruesin e detyrës së presidentit, e cila gjithashtu edhe një herë konfirmoi se vetëm një deputet ka kërkuar leje që mund të mungojë në seancë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Edhe një herë po e përmendi që thonjëzat janë ato që nuk mund ta konsideroni që është dhënë një epitet. Është bisedë mes miqsh edhe është me sarkazëm e përdorur, mirëpo nuk ka të bëjë me seriozitetin e procesit as me gjëra të tjera”, është arsyetuar ai.
Mesazhi i Bardiqit ishte veç fillimi i një skenari, nga i cili Kurti u tërhoq kur partitë e tjera paralajmëruan reagime edhe qytetare në formë të protestave.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj më 27 prill në një postim në Facebook kishte paralajmëruar se protestat janë të pashmangshme.
“Protesta duhet të jetë e pashmangshme, pasi kjo që po ndodh në Kuvend është shkatërrim i rendit kushtetues që u ndërtua me mund e sakrificë shekullore”, kishte shkruar ai.
Ndërkaq, PDK-ja, të martën kishte mbledhur edhe kryetarët e degëve për të kërkuar mobilizim të strukturave partiake në të gjithë vendin.
“PDK rithekson se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën dhe rendin juridik, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e tyre”, thuhej në një reagim të marten.
“Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, është shprehur kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
“PDK thekson se do të jetë në ballë të përpjekjeve politike dhe qytetare për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Republikës, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike për të ndalur përmbysjen e rendit kushtetues”, thuhej në reagim.
LDK-ja e prirë nga Lumir Abdixhiku deklaroi se Kurti po bënte përpjekje të rrëzonte rendin kushtetues.
“Sonte është natë e rëndë për Republikën e Kosovës, meqenëse Lëvizja Vetëvendosje inicioi përmbysjen e rendit kushtetues dhe rendit demokratik të Kosovës’’, ka deklaruar Abdixhiku në një konferencë për media të martën./Paparaci.com.









