Henry, i mahnitur nga PSG-Bayern Munich 5-4: Ishte çmenduri, spektakël i futbollit sulmues

Futbolli europian përjetoi një natë historike në “Parc des Princes”. PSG dhe Bayern Munich dhuruan një duel elektrizues me 9 gola, që përfundoi 5-4 për parizienët. Thierry Henry, legjendë franceze dhe komentator për “CBS Sport”, nuk humbi rastin për t’i lavdëruar të dy skuadrat për lojën dhe emocionet.

“Kohët e fundit thonim se skuadrat nuk rrezikonin, lojtarët nuk driblonin dhe luhej për të mos humbur. Të dyja palët rrezikuan shumë. Nëse je tifoz i mbrojtjes, mund të çmendesh duke parë këtë ndeshje…, por mua nuk më intereson, – tha francezi. – Prej vitesh ankohemi se futbolli është i mërzitshëm, por kjo ndeshje nuk ishte e tillë. Duke lënë mënjanë profesionalizmin, u argëtova shumë dhe besoj se edhe të gjithë të tjerët në shtëpi. Ishte çmenduri”.

“Nuk ka rëndësi çfarë mendoj unë, sepse këta nuk do të ndryshojnë, – shtoi ish-sulmuesi i Arsenalit. – Kështu duan të luajnë dhe duhet respektuar. Kompany e ka thënë, nuk do të ndryshojë. Dhe e dimë që as Luis Enrique nuk ndryshon”. Gjatë ndeshjes PSG kaloi në avantazh 5-2, por Bayerni ngushtoi në 5-4 përfundimisht. Të dy trajnerët e përshkruan si një sfidë shumë intensive dhe spektakolare.

The post Henry, i mahnitur nga PSG-Bayern Munich 5-4: Ishte çmenduri, spektakël i futbollit sulmues appeared first on Telesport.