Dogana e Kosovës njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kufitare kanë konfiskuar mbi 122 mijë euro dhe valuta të huaja gjatë tentimit për mosdeklarim në kufi te Dheu i Bardhë gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas Doganës, vetura në të cilën gjendeshin mjetet e padeklaruara po drejtohej nga një shtetas i Rumanisë.
“Rreth orës 09:15, në hyrje të PKK Dheu i Bardhë është paraqitur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj i Republikës së Rumanisë me gjithsejt 4 udhëtarë. Gjatë pyetjes standarde doganore lidhur me posedimin e mjeteve monetare mbi pragun e lejuar ligjor prej 10,000 euro për person, pala është deklaruar se nuk posedon mjete për deklarim”, thuhet në njoftim.
Pas përzgjedhjes për kontroll fillestar nga zyrtarët doganorë, thuhet se janë gjetur një çantë dore në të cilën ishin të fshehura 32 mijë e 500 euro.
Më tej, thuhet se pas konstatimit të kësaj parregullsie dhe pyetjes së zyrtarit doganor mbi mosdeklarimin e mjeteve monetare, pala është përgjigjur se “kanë të drejtë deri në 10,000 euro për person”.
“Bazuar në dyshimet e ngritura, automjeti është dërguar në vijën e dytë të kontrollit, ku në bashkëpunim me Policinë Kufitare është kryer kontroll i detajuar. Gjatë këtij kontrolli, në bagazhin e automjetit, përkatësisht në hapësira të fshehura në pjesën e akumulatorit dhe nën plastikën e gomës rezervë, janë zbuluar edhe 90,100 euro shtesë, si dhe 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro). Në total, janë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej: 122,600 euro, 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro)”, thuhet në njoftim.
Sipas Doganës, rasti është përcjellë për hetime të mëtejme, derisa rikujton se në përputhje me legjislacionin në fuqi, çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë mbi 10 mijë euro është i obliguar t’i deklarojë ato.
“Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave përkatëse administrative dhe ligjore”, njofton Dogana.









