Konfiskohen mbi 122 mijë euro te Dheu i Bardhë

Dogana e Kosovës ka konfiskuar mbi 122 mijë euro në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.

Rasti ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës, ku në hyrje të PKK Dheu i Bardhë është paraqitur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i huaj i Republikës së Rumanisë me gjithsejt katër udhëtarë.

“Gjatë pyetjes standarde doganore lidhur me posedimin e mjeteve monetare mbi pragun e lejuar ligjor prej 10,000 euro për person, pala është deklaruar se nuk posedon mjete për deklarim. Pas përzgjedhjes për kontroll fillestar nga zyrtarët doganorë, janë gjetur një çantë dore në të cilën ishin të fshehura 32,500 euro. Pas konstatimit të kësaj parregullsie dhe pyetjes së zyrtarit doganor mbi mosdeklarimin e mjeteve monetare, pala është përgjigjur se “kanë të drejtë deri në 10,000 euro për person””, thuhet në njoftim.

Bazuar në dyshimet e ngritura, automjeti është dërguar në vijën e dytë të kontrollit, ku në bashkëpunim me Policinë Kufitare është kryer kontroll i detajuar. Gjatë këtij kontrolli, në bagazhin e automjetit, përkatësisht në hapësira të fshehura në pjesën e akumulatorit dhe nën plastikën e gomës rezervë, janë zbuluar edhe 90,100 euro shtesë, si dhe 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro).

Në total, janë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej: 122,600 euro dhe 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro)

“Rasti është përcjellur për hetime të mëtejme, derisa Dogana e Kosovës rikujton se, në përputhje me legjislacionin në fuqi, çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë mbi 10,000 euro është i obliguar t’i deklarojë ato. Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave përkatëse administrative dhe ligjore”, thuhet më tej.