Komisioni Evropian aktualisht po shqyrton mundësinë e ngrirjes së një ndihme financiare 1.5 miliardë euro për Serbinë, për shkak të ngecjes në sundimin e ligjit dhe demokraci.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është takuar sot me Komisionerin Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, pasi ligjvënësit europianë e kishin kritikuar vizitën e tij të planifikuar në Beograd.
Ata paralajmëruan se kjo vizitë erdhi në një kohë të keqe dhe mund të sillte një fitore propagandistike për qeverinë serbe, raporton Politico, transmeton Paparaci.
Kujtojmë se vetëm pak javë më parë, Komisioni Evropian filloi shqyrtimin e vendimit për ngrirjen e 1.5 miliardë eurove ndihmë financiare për Serbinë për shkak të reformave të diskutueshme gjyqësore dhe një rënieje të përgjithshme të demokracisë.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për atë që po ndodh në Serbi”, tha për Politico, Komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos. “Nga ligjet që dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit, te shtypja e protestave, e deri te ndërhyrja e vazhdueshme në punën e mediave të pavarura.”
Siç shtoi ajo, Komisioni po vlerëson nëse Serbia ende i plotëson kushtet për mjetet nga instrumentet financiare të BE-së.
Tonino Picula, një eurodeputet kroat nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, tha se ekzistonte rreziku që regjimi ta përdorte vizitën për të portretizuar “punën si zakonisht”, gjë që nuk pasqyron situatën reale.
Eurodeputetja sllovene Irena Joveva paralajmëroi gjithashtu: “Vuçiqi ndoshta do ta instrumentalizojë këtë vizitë si një mjet PR-i. Derisa Brunner e sheh atë si diplomaci normale, Vuçiq do ta shesë atë brenda vendit si një histori për një burrë shteti të madh që balancon me mjeshtëri midis fuqive botërore.”
Deputetja e të Gjelbërve, Vula Tsetsi, tha se kishte qenë dy herë në Beograd gjatë muajve të fundit dhe kishte qenë personalisht dëshmitare e klimës së frikësimit dhe shtypjes policore ndaj studentëve protestues.
“Në një kohë si kjo, vizitat e Komisionerëve Evropianë përçojnë mesazh të gabuar”, përfundoi ajo.
Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, por pritet të zbatojë reforma të sundimit të ligjit dhe demokracisë. Që nga fundi i vitit 2024, vendi është tronditur nga protesta të mëdha pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në të cilën vdiqën 16 persona.









