Doku: Synojmë triumfin në FA Cup dhe Premier League, gjithçka është në duart tona

Jeremy Doku pranon se shkalla e arritjes së Manchester City, duke shkuar për të katërtën finale radhazi të FA Cup, ende nuk është kuptuar. Por pas humbjeve në dy paraqitjet e tij në “Wembley”, anësori belg është i vendosur ta marrë trofeun.

Doku iu bashkua City në verën e vitit 2023, pas fitores së tyre në finalen e kupës ndaj Manchester United dhe ishte në anën humbëse kundër United në vitin 2024 dhe Crystal Palace vitin e kaluar.

23-vjeçari, i cili shënoi golin e barazimit të City në fitoren 2-1 ndaj Southampton, tha: “Mendoj se ne si skuadër nuk e kuptojmë se çfarë po bëjmë. Hera e katërt radhazi në finalen e FA cup, është e pabesueshme”.

“Çdo vit, të jesh atje pasi ke luajtur kundër ekipeve të mira, por prapë ke arritur në finale çdo herë. Tani duam të fitojmë. Nuk e kam fituar ende dhe është diçka që dua ta fitoj. Është diçka e veçantë”, shtoi Doku.

City mund ta përfundojë sezonin me një tripletë trofesh, ku pas fitores së Carabao Cup mund të triumfojnë edhe në Premier League e FA Cup. Me pesë ndeshje të mbetura në ligë, City është tre pikë pas liderëve Arsenal, të cilët kanë luajtur një ndeshje më shumë.

E dimë që kemi skuadrën për ta bërë këtë gjë realitet. Varet nga ne, është në duart tona. Duhet të luajmë mirë dhe të përqendrohemi te vetja”, deklaroi belgu.

The post Doku: Synojmë triumfin në FA Cup dhe Premier League, gjithçka është në duart tona appeared first on Telesport.