Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë hyjnë në grevë, drejtori i shkollës nuk i lejoi të flasin

Punëtorët teknikë në Shkollën “Dardania” në Prishtinë kanë hyrë në grevë nga ora 07:00 e mëngjesit, në shenjë revolte për mos pagesën e pagave për muajin prill.

Punëtorët që po mbajnë grevën nuk u lejuan të flasin për gjendjen e tyre, pasi, sipas tyre, Komuna e Prishtinës kishte njoftuar drejtorët e shkollave që të mos lejojnë deklarime pa marrë leje.

Pavarësisht insistimit të agjencisë së lajmeve Ekonomia Online për të marrë leje për prononcimin e punëtorëve, drejtori i shkollës nuk lejoi që ata të përgjigjen pasi sipas tij nuk kanë shkresë zyrtare nga Komuna, që të njëjtit të lejohen të flasin.

Punëtorët teknikë, të cilët folën prapa kamerës për Ekonomia Online, thanë se janë të kontraktuar nga kompani private dhe se me të njëjtin problem po përballen çdo muaj.

Sipas tyre, ata po detyrohen vazhdimisht të mbajnë greva për të marrë pagat për të cilat punojnë.

Ata u ankuan se nga këto kompani po trajtohen “si skllevër”, ndërsa shprehën pakënaqësi edhe për pagat e ulëta që marrin.

Në grevë janë edhe punëtorët teknikë të shkollave “Asim Vokshi”, “Gjergj Fishta”, “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina” dhe shkolla të tjera në Prishtinë.