Mëngjesin e së martës ka pasur tensione në hyrje të Aeroportit të Vlorës mes punonjësve të “2A Group” dhe “Mabco”, kompani e Behgjet Pacollit.
Policia ndodhet në vendngjarje, ndërsa siguria private e “2A Group” nuk lejon hyrjen e nënkontraktorëve të “Mabco” në kantier.
Në pamjet e publikuara nga Report Tv, shihet teksa Selim Pacolli përplaset me zyrtarët policor ndërkohë që ata kanë kërkuar dokument gjykate nga punonjësit e Behgjet Pacollit që i autorizon për vijimin e punimeve.
Mabco Constructions është përjashtuar nga projekti i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, për shkak të vonesave të shkaktuara në përfundimin e punimeve në terminal dhe disa pjesë të tjera të Aeroportit.
Kompania në pronësi të biznesmenit dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shkelur marrëveshjen kontraktuale me shoqërinë koncensionare “Vlora International Airport” [VIA], e cila menaxhon Aeroportin e Vlorës.
Vendimin për ndërprerjen e kontratës, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) e mori të enjten më 14 maj, tregon një dokument që e ka siguruar Paparaci.
Dokumenti është një njoftim i VIA drejtuar Mabco-s për ndërprerjen e kontratës.
Sipas njoftimit, punimet për të cilat është kontraktuar “Mabco Constructions” ishin paraparë të përfundonin më 3 shkurt të vitit 2025.
Rreth një vit më vonë, punimet në dorë të “Mabco Constructions” – bashkëaksionare në Aeroportit e Vlorës – nuk janë finalizuar ende. Dhe, dëmet e vlerësuara nga shkelja e kontratës kanë arritur vlerën e mbi 4.6 milionë eurove, vlerëson njoftimi.
Pacollit i ndërpritet kontrata, kompania e tij akuzohet për 4,6 milionë euro dëme
Kompania ‘Mabco Constructions S.A’, e drejtuar nga Behgjet Pacolli ka bërë një reagim zyrtar në ditën e dytë të përplasjeve në hyrje të aeroportit të Vlorës me kompaninë ‘2A Group’ të Valon Ademit.
‘Mabco’ thotë se vendimi i gjykatës që pretendon Valon Ademi se i jep të drejtë për të ndaluar hyrjen e punonjësve në kantier, i referohet pezullimit të së drejtës së votës të ‘Mabco’ në shoqëri, por jo ndalimit të punimeve.
“Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e Mabco-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta. Vendimi gjyqësor i pretenduar dje nga Valin Ademi dhe i shperndare ne media është ai që pezullon përkohësisht të drejtën e votës së Mabco-s në shoqëri, vendim që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. ASNJË vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të Mabco-s në kantier. Ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale nga ana e z. Valon Ademi dhe ortakut minoritar 2%, e kryer nëpërmjet administratorit të kontestuar Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi”, thuhet ndër të tjera në reagim.








