Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka nënshkruar vendimin për themelimin e grupit punues i cili do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ai thotë se Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cënojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë”, shkruan ai.









