Mesazhi amerikan, Sejdiu: Do ta vajtojmë gjatë sjelljen që kemi pasur karshi SHBA-së

Opinionisti Dardan Sejdiu ka deklaruar se Kosova do të përballet me pasoja afatgjata për mënyrën se si është sjellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht ndaj Administratës Trump gjatë tri viteve të fundit.

Duke komentuar opinionin e të ngarkuarës me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, lidhur me projektin e gazit, Sejdiu tha se mesazhi i ShBA-së është i qartë dhe përfaqëson një paralajmërim serioz për institucionet e vendit.

“Qysh do që të përfundojë ky proces, i gazit, kemi me vajtu gjatë shumë sjelljen që e kemi pasur karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht karshi Administratës Trump, tri vjetët e fundit”.

“Janë dy departamente në qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e kanë parë fjalë për fjalë këtë letër. Kjo është ftesë e fundit që i thotë këtij vendi, “dëgjoni, nëse kapitali ynë nuk hyn me këtë projekt, ne nuk kemi çka lypim këtu me kapital, as me siguri, ju jeni rreshtuar”, tha ai.
Sipas tij, opinioni i Prattipati-t paraqet një moment vendimtar për Kosovën dhe u shpreh se projekti i gazit është promovuar nga ShBA-ja tash e tri vjet, por është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës, e cila, sipas tij, e ka paraqitur atë si “gaz rus”.

“Është duke thënë diçka, janë dy rrugë po thotë, t’i tash vendos cilën po e zgjedh. Është një rrugë që unë po e propozoj tash e tri vjet e që me ke bllokuar, e ke refuzuar dhe ke bërë fushatë me Besnik Bislimin, duke thënë është gaz rus”.

“Është duke folur Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ta citon Trumpin, po ta përmend Rusinë dhe po të thotë diçka tepër interesante “forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”, tha ai.