Aida Dërguti tregon arsyet që e shtyen t’i rikthehet politikës

Aida Dërguti, kandidate për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka treguar shkaqet që e kanë shtyer atë të rikthehet në politikë.

E ftuar në emisionin VV Show me Vehbi Kajtazin e Visar Ymerin, Dërguti ka thënë se tentimi për kapjen e shtetit ka qenë arsyeja kryesore që e ka rikthyer atë në skenën aktive të politikës.

Sipas Dërgutit në zgjedhjet e 7 qershorit, qytetarët duhet të jenë më shumë se kurrë të inkurajuar për ta votuar opozitën.

“Kam menduar që e kam mbyllur këtë kapitull. Hera e fundit ka qenë para nëntë vitesh, saktësisht në vitin 2017. Nuk është se më ka munguar shumë. Kam menduar që është koha që në politikë të vjen një gjeneratë e re. Por, siç po shihet ne nuk po mundemi me dalë nga rrethi vicioz ku jemi futur dhe duke e njohur që protagonist që faktikisht janë sot në krye të shteti po vazhdojnë me avazin e vjetër, më është dukur se beteja po bëhet e pashmangshme”.

“Posaçërisht në ditën e fundit para shpërndarjes së Kuvendit kur u bë thirrja për të mos e votuar opozitën. Kjo thirrje për të mos e votuar ka qenë një alarm për demokracinë dhe rreshtimi im ka qenë në njëfarë forme inkurajim që patjetër duhet të votohet opozita, madje më shumë se herat e kaluara”, ka thënë Dërguti në VV Show.

Sipas Dërgutit, tentimi i kapjes së shtetit po vrehet në përmasa të mëdha, andaj ajo e ka parë të arsyeshme që të rikthehet në politikë, me qëllim që të ndalet një veprim i tillë.

“Tash e sa vite shohim se ky pushtet po tenton kapjen e shtetit dhe tani kjo po ndodh në përmasa shumë të mëdha dhe më është dukur disi e rëndësishme që betejën politike ta bëjnë edhe njerëzit që janë të rryer në beteja politike. Ka qenë shumë më e lehtë rehatia ime personale në debate televizive ku je jashtë loje, por më është dukur e pamjaftueshme duke parë situatën në të cilën është Kosova. Kjo ka qenë e vetmja arsye pse kam vendosur të futem në listë”, deklaroi mes të tjerash ajo