Kandidatja për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aida Dërguti, ka thënë se autokratët janë ata persona që thellësisht në shpirt janë diktator.
Duke iu referuar situatës politike në Kosovës, Dërguti ka shpjeguar pikëpamjet e saj lidhur me autokratët.
E ftuar në VV Show, Dërguti ka thënë se në kohën që jetojmë sot është shumë e vështirë që diktaturat të ngjasojnë me diktaturat që jemi mësuar t’i shohim ose për të cilat kemi dëgjuar më parë.
“Në kohën që jetojmë ne liderët autokrat i quajmë liderët që thellësisht në shpirt janë diktator. Mirëpo, ata janë autokrat për një arsye të vetme, sepse në kontekstin aktual ndërkombëtar e kanë të pamundur të jetojnë në izolim nga bota demokratike. Gjatë periudhës së luftës së ftoftë, ka qenë një mur i padukshëm mes lindjes dhe perëndimin dhe ka qenë një rregull që nuk është shkelur sovraniteti i shtetit edhe në rast të abuzimeve të mëdha me qytetarët e tyre”.
“Sot, një model i një diktature çfare i mbajmë në mend është pothuajse i pamundur sepse nuk mundet një shtet i tillë të mbijetojë as edhe një muaj me izolim të tillë që do t’i bëhej nga bashkësia ndërkombëtare. Prandaj në mënyrë inteligjente gjejnë mënyrë që të kontrollojnë në maksimumin e tyre ku gjejnë hapësirë me shkelje e manipulime dhe vendosen në formën që janë. Sa më i dobët shteti mundësia është me madhe e kapjes. Në një shtet të konsoliduar mirë, autokracia nuk gjen vend fare”, ka thënë Dërguti në VV Show.
Sipas saj, Kosova ndodhet në rrezik për shkak se akoma është një shtet i ri.
“Jemi në një pikë ku shumë procese janë të papërmbyllura. Institucionet janë të brishta. Pothuajse çdo çështje që dërgohet në Gjykatën Kushtetuese është çështje e interpretimeve për herë të parë pasi që janë raste që nuk kanë ndodhur më parë për shkak se jemi shtet i ri. Pra, mundësia është shumë e madhe se sa në një vend tjetër”, ka thënë Dërguti.









