Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka ngritur shqetësimin për përkeqësimin e situatës financiare të komunave në vend, duke theksuar barrën e rëndë që po u shkaktohet nga vendimet gjyqësore dhe moszbatimi i vendimeve kushtetuese nga niveli qendror.
Sipas tij, komunat po përballen me miliona euro obligime shtesë, të cilat rrezikojnë seriozisht funksionimin normal të pushtetit lokal dhe realizimin e projekteve kapitale.
“Përveç faktit që komunave të Kosovës tashmë u janë marrë mbi 344 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore në periudhën 2022–2026 (ku shumica dërrmuese lidhet me kontratën kolektive), dhe vetëm në muajt e parë të vitit 2026 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro, situata financiare po rëndohet edhe më tej me një barrë të re prej 15–20 milionë eurosh. Kjo barrë shtesë vjen si pasojë e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nga ana e Ministrit Hekuran Murati dhe Ministrisë së Financave, lidhur me përllogaritjen e shtesës për përvojën e punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën 2023–2025”.
Ibrahimi thekson se komunat po përballen me një presion të trefishtë financiar.
- nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për kontratën kolektive;
- nga ndikimi negativ në buxhetet komunale dhe investimet kapitale;
- dhe tash edhe nga një detyrim shtesë që buron nga moszbatimi i një vendimi detyrues kushtetues.
Ndër të tjera, Ibrahimi thotë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe obliguese për të gjitha institucionet.
“Moszbatimi i tyre jo vetëm që cenon rendin kushtetues, por prodhon pasoja direkte financiare që në këtë rast po i barten padrejtësisht komunave. Është e rëndësishme të theksohet se komunat nuk kanë pasur asnjë rol në krijimin e kësaj situate. Politikat e pagave dhe zbatimi i vendimeve kushtetuese janë përgjegjësi ekskluzive e nivelit qendror. Megjithatë, në praktikë, faturat po paguhen nga buxhetet komunale, duke rrezikuar seriozisht funksionimin normal të pushtetit lokal dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thotë ai.
“Në këtë kontekst, kërkohet një ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës që të marrë përgjegjësinë e plotë financiare për këto obligime dhe të sigurojë zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që komunat të mos penalizohen për një dështim që nuk u takon”.









