Deputeti nga Drenica i reagon qytetarit që nuk ia zgjati dorën Kurtit

Enver Dugolli i Vetëvendosjes ka thënë se qytetari i cili e injoroi kryeministrin Albin Kurti në përfundimin e një ceremonie nderimi për të vrarët në Komunën e Drenasit 27 vjet më parë, “nuk e përfaqëson nderin, mikëpritjen dhe dhimbjen e drenicasve”.

Deputeti tha sot se gjesti i qytetarit në fjalë nuk paraqet realitetin tjetër: atë për shumë drenicas që kishin dalë për të pritur kryeministrin sot.

“Në mesin e shumë drenicasve që kishin dalë për të pritur Kryeministrin, Kryeparlamentaren dhe ushtruesen e detyrës së Presidentes, paskan ‘zbuluar’ një person të porositur për të krijuar ‘lajm’”, ka thënë Dugolli.

“Unë, si drenicas, dhe në emër të shumë të tjerëve, e falënderojmë Kryeministrin Kurti, i cili jo vetëm tani, por në çdo përvjetor, nderon heronjtë, dëshmorët dhe viktimat civile të Drenicës. Madje, në vende ku nuk ka shkelur këmba e asnjë udhëheqësi që nga paslufta, ishte pikërisht Kryeministri Kurti ai që i nderoi me vizita dhe homazhe”, ka thënë ai.

“Personi me duar në xhepa nuk e përfaqëson nderin, mikëpritjen dhe dhimbjen e drenicasve!”.