Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka treguar planin e tij për qeverisjen e re në Kosovë.
Gashi, që këto zgjedhje garon me numrin 28 ka thënë se finalja e kësaj fushate duhet të jetë fundi i debatit të vogël dhe fillimi i vizionit të madh për Kosovën.
Sipas tiij qytetarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë më kush kë e sulmoi, kush kë e refuzoi apo kush kë e rrëzoi.
“Kosova nuk ndërtohet me mllef politik. Kosova ndërtohet me dije, vizion, guxim dhe përgjegjësi shtetërore. Sot duhet të flasim për Kosovën që duam tash e edhe pas 10, 20 e 30 vitesh. Për Kosovën anëtare të NATO-s, të BE-së dhe të organizatave ndërkombëtare, me miqësi të përhershme me SHBA-të, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Austrinë dhe gjithë aleatët që qëndruan me ne në ditët më të vështira. Duhet të flasim për një Kosovë me ushtri moderne, me FSK të avancuar, të përgatitur për mbrojtjen e vendit dhe për misione ndërkombëtare. Për një shtet që investon në teknologji, siguri dhe aleanca strategjike. Për një Kosovë ku sundon ligji, ku drejtësia nuk vonon dhe ku rendi publik garanton siguri për çdo familje. Për një ekonomi prodhuese e konkuruese. Për më shumë eksport se import. Për bujqësi moderne, industri të zhvilluar, turizëm që e kthen natyrën tonë në fuqi ekonomike dhe rininë tonë në lidere të teknologjisë dhe inovacionit në rajon”.
“Për një shëndetësi efikase e të dinjitetshme. Për arsim cilësor që i bën të rinjtë tanë konkurrues në botë. Për kulturë, art e sport që e përfaqësojnë Kosovën me krenari. Për rrugë të sigurta, ambient të pastër dhe zhvillim që arrin në çdo cep të vendit. Kjo është politika që i duhet Kosovës. Politikë që bashkon, jo që përçan. Politikë që ndërton, jo që pengon. Politikë që mendon për shtetin, jo për momentin. Ta ndryshojmë diskursin. Ta rikthejmë seriozitetin. Ta ndërtojmë bashkëpunimin. Ta zhvillojmë Kosovën. Koha për fjalë ka kaluar. Tani është koha për drejtim. Le të fillojmë sot. Le ta konkretizojmë më 8 Qershor”, ka thënë ai.









