Gega te bizneset informohet se si po dërrmohen nga çmimi i energjisë elektrike

Kandidati i PDK-së për deputet, Arben Gega, ka vizituar kompaninë “Roni Recycling”, ku bashkë me pronarin Kushtrim Bytyçi ka diskutuar për sfidat me të cilat po përballen bizneset private në Kosovë, veçanërisht pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Gega tha se bizneset prodhuese dhe ato që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit po përballen me vështirësi të mëdha, ndërsa mungon mbështetja institucionale.

“Larg fjalëve të qeverisë, bizneset po dërrmohen nga shtrenjtimi i rrymës. Tash e kemi momentin ta ndërrojmë qasjen, ta kthejmë Kosovën në binarët e zhvillimit”, deklaroi ai.

Pronari i kompanisë, Kushtrim Bytyçi, tha se bizneset që merren me riciklim dhe mbrojtje të ambientit nuk kanë marrë përkrahjen që e meritojnë.

“Po veç ju përkundrazi duhet me qenë që një biznes që e mbron ambientin më së shumti, që i mbledh mbeturinat edhe i paketon e i eksporton. Realisht ashtu është, po fatkeqësisht nuk na kanë përkrah, as që kanë dashur me ni bile”, tha ai.

Bytyçi foli edhe për një rast aplikimi në grant, ku pretendon se ishte diskriminuar për shkak të bindjeve politike.

“Më kanë thënë e ke kalu fazën e parë, të dytën shumë mirë. Në të tretën më kanë thirr në telefon e më kanë thënë ‘është dikush aty po thotë ky s’është bashkëpartiak i joni, s’mundet me marrë’”, deklaroi ai.

Gjatë vizitës u diskutua edhe për krizën me të cilën po përballen bizneset në zonën e Gremes, e njohur për përqendrimin e bizneseve prodhuese dhe përpunuese.

“Secili ka ankesa të jashtëzakonshme. Ka ankesa për rrymën, ka ankesa për punëtorët. Këto dyja janë primore”, tha Bytyçi.

Sipas tij, rritja e kostos së energjisë dhe mungesa e fuqisë punëtore po e vështirësojnë funksionimin normal të bizneseve.

“Përpara kena punu edhe natën”, u shpreh ai, duke nënvizuar rënien e aktivitetit krahasuar me vitet e kaluara.