Shkarkohet nga detyra ambasadori i Kosovës në Vatikan

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari, është shkarkuar nga detyra.

Pas këtij vendimi, Miftari ka reaguar në rrjetet e tij sociale, duke bërë të ditur se dekretin për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë, e mori këto ditë nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu

Megjithatë, ai tha se ky dekret shënon përfundimin e mandatit të tij në Vatikan, por edhe jo angazhimin e tij për Republikën.

“Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan. Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht”, ka shkruar ai.

Pos tjerash, ai falënderoi ish-presidenten Vjosa Osmani për besimin e dhënë.

“Falënderoj Presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim. Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi”.

“Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund. Me përvujtëni, Vehbi Miftari”, ka shkruar ai.