Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur “shqetësimin e thellë” lidhur me gjetjet e raportit të organizatës “Bar Human Rights Committee of England & Wales”, i cili trajton proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Ky raport i kësaj organizate me reputacion të lartë ndërkombëtar në fushën e të drejtave të njeriut, ngre shqetësime serioze për respektimin e standardeve të një gjykimi të drejtë, duke vënë në pah rreziqe të mospërputhjes me parimet themelore të Këshillit të Evropës dhe instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK thotë se gjetjet e këtij raporti “nuk mund dhe nuk duhet të injorohen më nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare”. Raporti i cilësoi sfida serioze për integritetin e procesit gjyqësor çështjet si shkeljet e të drejtave të njeriut, paraburgimi i gjatë dhe praktikisht i pakontestueshëm, kufizimet në lirimin e përkohshëm, si dhe dyshimet për barazi të palëve në proces, paraqesin sfida serioze për integritetin e procesit gjyqësor. U theksuan edhe shqetësime lidhur me transparencën e provave dhe burimin e tyre.
“PDK rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare. Rrjedhimisht, çdo proces ndaj pjesëtarëve të UÇK-së duhet të jetë i pakontestueshëm në standard, i pastër në procedurë dhe i drejtë në çdo aspekt. Ne kërkojmë që rekomandimet e raportit të merren seriozisht dhe urgjentisht, përfshirë krijimin e një mekanizmi të pavarur të monitorimit, që garanton respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare dhe ruajtjen e legjitimitetit të procesit gjyqësor”, thuhet në reagim.
PDK u bën thirrje shteteve financuese të Dhomave të Specializuara, ekspertëve të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë njohësve të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit, që të mos heshtin.
“Heshtja përballë këtyre gjetjeve nënkupton normalizim të standardeve të ulëta dhe rrezikon të krijojë precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare. PDK do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje të gjitha zhvillimet dhe të angazhohet në mbrojtje të drejtësisë, të së vërtetës dhe të dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit tonë. PDK beson në pafajësinë e çlirimtarëve dhe pret një vendim final, të drejtë dhe pa vonesa të mëtejshme, që do të mundësojë lirimin e tyre dhe kthimin në Kosovë”.









