Menu Close

Vitia pranon mungesa të barnave deri në 20 javë, paralajmëron vendime disiplinore ndaj zyrtarëve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar se pacientët e Klinikës së Onkologjisë janë përballur me mungesa disajavore të barnave, të cilat, në rastin e Dabrafenibit, kanë zgjatur deri në 20 javë. Ai ka përmendur edhe vonesa për të cilat zyrtarët kanë mundur të reagojnë më herët dhe ka paralajmëruar vendime nga komisioni disiplinor.

Gjatë përgjigjeve në interpelancën për mungesën e barnave onkologjike, Vitia ka renditur disa nga shkaqet që, sipas tij, kanë penguar furnizimin.

Ministri ka përmendur mungesën e autorizimit për marketing për disa barna, mungesën e ofertuesve në procedurat e prokurimit, ofertat me çmime mbi ato të lejuara dhe “probleme organizative”.Ai ka thënë se ka pasur edhe raste kur zyrtarët kanë mundur të reagojnë më herët, për të cilat priten së shpejti vendime nga komisioni disiplinor.

Duke iu referuar raporteve të SHSKUK-së dhe Klinikës së Onkologjisë, Vitia ka paraqitur numrin e pacientëve të prekur dhe kohëzgjatjen e mungesave për disa barna.Për Palbociclibin, sipas ministrit, janë prekur 70 paciente nga mungesa që ka zgjatur pak më pak se nëntë javë. Ai ka përmendur dy cikle gjatë të cilave bari ka munguar në Klinikën e Onkologjisë.

Për Bevacizumabin, të njohur edhe me emrin tregtar Avastin, Vitia ka deklaruar se mungesa ka prekur 70 pacientë dhe ka zgjatur 13 javë, për shkak të përsëritjes së procedurave. Sipas tij, kjo periudhë ka përfshirë nga tre deri në pesë cikle.Ndërkaq, për Dabrafenibin, ministri ka raportuar për 12 pacientë të prekur dhe mungesë prej 20 javësh. Si arsye ka përmendur ofertat që kanë tejkaluar çmimin e deklaruar.

Për Sorafenibin, sipas Vitisë, mungesa ka zgjatur tetë javë dhe ka prekur 14 pacientë, duke përfshirë dy cikle. Edhe për këtë bar, ai ka thënë se ofertuesit kanë ofruar çmime mbi ato zyrtare.Ministri ka përmendur se disa pacientë i kanë siguruar barnat privatisht gjatë periudhave kur ato kanë munguar në klinikë.

Sipas tij, raportimet nga Klinika e Onkologjisë tregojnë se rastet janë vlerësuar individualisht dhe se për pacientët është hartuar plani terapeutik, duke marrë parasysh gjendjen klinike dhe mundësitë e trajtimit në dispozicion.

Related Posts