Menu Close

Dyshohet se kërcënoi Ramiz Lladrovcin në sallën e gjyqit – Policia e shpalli në kërkim, kapet në Aeroportin e Prishtinës

Një rast i dyshuar i kanosjes ndaj kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përfunduar me ndalimin e një 48-vjeçari në Aeroportin e Prishtinës. I dyshuari ishte shpallur në kërkim policor pas dyshimeve se e kishte kërcënuar Lladrovcin gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Drenas, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për Blerim Sinanin, 48 vjeçar, i cili dyshohet se më 7 shtator 2026 kishte kanosur kryetarin e Drenasit gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.

Rasti është iniciuar zyrtarisht më 11 tetor nga Njësia e Hetimeve në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Pas veprimeve fillestare hetimore, me udhëzim të Prokurorisë, Sinani ishte vendosur në kërkim policor me qëllim sigurimin e pranisë së tij për intervistim.

Të enjten, më 12 nëntor, i dyshuari është ndaluar nga Policia Kufitare në Aeroportin e Prishtinës.

Pas ndalimit, ai është shoqëruar në zyrat e njësisë hetimore në Prishtinë, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, 48-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti po trajtohet për veprën penale “Kanosja”

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Related Posts