Menu Close

Kuvendi ratifikon katër marrëveshje ndërkombëtare, tri me Suedinë e një me Belgjikën

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar katër marrëveshje ndërkombëtare me Suedinë dhe Belgjikën, në vazhdimin e seancës plenare që po mbahet të premten.

Tri prej marrëveshjeve janë lidhur me Mbretërinë e Suedisë dhe kanë të bëjnë me ekstradimin, transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Ndërkaq, marrëveshja e katërt është traktati ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Marrëveshja për transferimin e personave të dënuar ndërmjet Kosovës dhe Suedisë është miratuar me 81 vota për, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Edhe marrëveshja për ekstradim ka marrë mbështetjen e 81 deputetëve, pa vota kundër dhe abstenime.

Gjatë prezantimit të marrëveshjes për transferimin e personave të dënuar, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.

Ajo theksoi se marrëveshja respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor.

Gërvalla rikujtoi se, në bazë të nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, marrëveshja kërkon ratifikimin nga Kuvendi, pasi ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

“Për Republikën e Kosovës, marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit. Në bazë të nenit 18 të Kushtetutës, duke qenë se marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, kërkohet edhe ratifikimi i saj nga Kuvendi”, tha Gërvalla.

Mbështetjen për marrëveshjen e transferimit të personave të dënuar e kanë shprehur edhe grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës.

Related Posts