Rriten çmimet e importit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit për Indeksin e Çmimeve të Importit (IÇIMP), sipas të cilave çmimet e importit në Kosovë kanë shënuar rritje vjetore gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.

Sipas ASK-së, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, çmimet e importit janë rritur mesatarisht për 2.7 për qind. Ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur sektorët e lëkurës dhe artikujve të saj me 23.2 për qind, produktet minerale me 11.5 për qind, instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore me 7.2 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 7 për qind, këpucët me 5.2 për qind dhe vajrat ushqyese me 5.1 për qind.

Rritje është evidentuar edhe te sektori i shtazëve të gjalla dhe produkteve të shtazëve, me 4.5 për qind.

Megjithatë, ASK thekson se ngritja e çmimeve është neutralizuar pjesërisht nga rënia e çmimeve në disa sektorë, përfshirë produktet bimore me 6.3 për qind, tekstilin dhe artikujt e tekstilit me 4.5 për qind, artikujt e gurit, llaçit, qeramikës dhe qelqit me 1.5 për qind, si dhe plastikën, kauçukun dhe artikujt e tyre me 1.4 për qind.

Në baza tremujore, krahasuar me TM4 2025, Indeksi i Çmimeve të Importit ka shënuar rënie të lehtë prej 0.3 për qind në TM1 2026.

Sipas ASK-së, rritjet më të mëdha në këtë periudhë janë regjistruar te produktet minerale me 4.2 për qind, letra dhe artikujt e saj me 4 për qind, si dhe instrumentet optike, fotografike dhe medicinale me 3 për qind. Në anën tjetër, ulje të çmimeve pati te produktet e shtazëve, tekstili dhe artikujt e qeramikës dhe qelqit.