Paradoks i rrallë: KPK nuk e anulon propozimin për Blerim Isufajn kryeprokuror, por nuk e zbaton

Edhe 15 ditë do të jetë i hapur afati për aplikim për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, njoftoi sot organi më i lartë i sistemit prokurorial, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Në një njoftim rreth procesit të emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit të publikuar të martën, KPK tha se nuk qëndron më pas propozimit të vetë këtij këshilli për emërimin e Blerim Isufajt për kryeprokuror, edhe pse nuk ka nxjerrë asnjë akt juridik të anulimit të propozimit.

Një situatë paradoksale ligjore dhe kushtetuese, shkruan Paparaci.

Sipas Këshillit, veprimet e të cilit dyshohet se tashmë diktohen nga pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje – siç ndodhi edhe me procesin e shpalljes së konkursit për Kryeprokuror të Shtetit – procesi i ri nuk përbën “anulim të konkursit të vitit 2022”.

Për shpalljen e procesit të ri për përzgjedhjen e kryeprokurorit, sipas njoftimit për media, Këshilli u arsyetua në disa elemtente: faktin që Presidenti e ka refuzuar propozimin e Blerim Isufajt dhe krijimin e një boshllëku institucional.

“Në këtë kontekst, duke marrë parasysh mungesën e një emërimi të finalizuar, periudhën e zgjatur që nga prilli i vitit 2022 kur pozita ka mbetur pa mandat të plotë, nevojën për siguri juridike dhe funksionim të rregullt institucional, si dhe për të shmangur çdo paqartësi lidhur me procedurat e mëparshme apo perceptimin e ekzistencës së propozimeve paralele pranë Presidentit apo Ushtruesit të Detyrës së Presidentit, KPK sqaron se propozimi i vitit 2022 nuk mbahet më për qëllime të emërimit nga Presidenti”, tha KPK në njoftim.

“Ky sqarim nuk përbën anulim të konkursit të vitit 2022”, tha Këshilli Prokurorial në sqarimin e vet.

Por, KPK tha se qëllimi i njoftimit është sqarimi për procesin e ri të shpallur të hënën e kaluar: atë të përzgjedhjes së një Kryeprokurori të ri.

“Qëllimi i këtij sqarimi është të ofrojë siguri juridike, qartësi institucionale dhe të mundësojë zhvillimin e një procesi të ri, të rregullt, transparent dhe të bazuar në meritë për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit me mandat të plotë”, tha KPK në njoftim.

Këshilli tha se konkursi për kryeprokuror do të jetë i hapur deri më 10 qershor.

Para katër vitesh, më 2022, KPK e kishte përzgjedhur Blerim Isufajn për pozitën e kryeprokurorit. Ia kishte dërguar propozimin dy herë ish-presidentes Osmani, por ajo e kishte refuzuar dekretimin e tij pa ofruar arsye të qëndrueshme ligjore.

Njoftimin e plotë e gjeni në linkun e bashkëngjitur më poshtë: