Partia e Rashiqit hedh poshtë akuzat e Listës Serbe lidhur me ndalimet në Graçanicë

Partia “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë” e Nenad Rashiqit i hodhi poshtë pretendimet se kryetari i kësaj partie është përgjegjës për ndalimin e disa personave në Graçanicë, nën dyshimin për cenim të lirisë së përcaktimit të lirë të votuesve.

Ata reaguan pas deklarimit të përfaqësuesve të Listës Serbe në Mitrovicën e Veriut, të cilët e akuzuan Rashiqin se “e ka futur policinë” në institucionet shëndetësore dhe arsimore serbe, transmeton Paparaci.

“Ministri Nenad Rashiq nuk ka kompetenca të urdhërojë aksione policore dhe as të ndikojë në punën e prokurorisë dhe organeve të drejtësisë. Institucionet kanë vepruar në bazë të kallëzimeve dhe informacioneve të dorëzuara tek organet kompetente, ndërsa çdo veprim i mëtejmë është ekskluzivisht në duart e policisë dhe prokurorisë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Partia e ministrit Rashiq vlerësoi se është shqetësuese përpjekja e Listës Serbe që çdo procedurë ligjore ta paraqesë si “sulm ndaj serbëve”.

“Një retorikë e tillë shërben vetëm për të nxitur frikë, tensione dhe mobilizim politik të qytetarëve. Është e turpshme dhe e papërgjegjshme që Lista Serbe t’i shpallë paraprakisht të arrestuarit të pafajshëm dhe institucionet t’i akuzojë për përndjekje politike, edhe pse procedura ende po vazhdon. Pikërisht ata prej vitesh ushtrojnë presion ndaj qytetarëve, të punësuarve në institucione dhe votuesve, duke krijuar një atmosferë ku mendimi ndryshe ndëshkohet dhe stigmatizohet”, thuhet në njoftim./Paparaci.com