Zëvendëskryeministri e ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca iu shtua radhës së gjatë të politikanëve të regjimeve autokratike a gjysmëautokratike nëpër botë që sulmojnë mediat sa herë kur ato ua përplasin për fytyre të vërtetën.
Regjimet autoritare si Rusia, Bjellorusia e gjetkë nëpër botë, i kanë shtypur krejtësisht mediat ose i kanë blerë kur ato kanë kritikuar apo kanë raportuar për skandalet e tyre.
Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë në këto gjashtë vjet në pushtet ka përdorur sulmet e njëpasnjëshme kundër mediave kritike. Ngjashëm si në Amerikë, i ka përfshirë në luftën hibride, siç ka thënë, ose te lajmet e rreme e media që shpërndajnë propagandë. Këtë e ka bërë në krye me liderin Albin Kurti.
Militantët e kësaj partie që prej momentit të ndarjes së dyshes që erdhi në pushtet bashkë, Vjosa Osmanit e Kurtit, ish-presidenten kanë nisur ta thërrasin me termin “Frizerkë”.
Termin e ngjashëm e përdori edhe një militant i VV-së, i arrestuar më parë për kërcënime ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi e Klan Kosovës, kur vendosi që t’i bënte një pyetje Glauk Konjufcës nëse do t’i hapnin sallonet e reja pas humbjes që do ta pësonin “Frizerkat” në zgjedhjet e 7 qershorit.
“…Qyre kur jena te frizerkat (lejon hapësirën që të gjithë të pranishmit në një kafene në Ferizaj të qeshnin), kur jena te frizerkat, tash…)”, vazhdon sqarimin Konjufca pa i tërhequr vërejtjen militantit të partisë për gjuhën që e përdori. Konjufca u tall kur përreth tij kishte disa gra, të cilat qenin bashkë me të.
Pas reagimeve të ashpra që mori nga gratë dhe nga partitë politike, Konjufca reagoi, duke u arsyetuar se “kjo luftë speciale e sontme nuk më la indiferent”, teksa reagimin e nisi se rrallë reagon ndaj lajmeve të rreme sepse “kjo të imponon të reagosh pothuajse çdo orë”.
“Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Pyetjen as që e dëgjova saktë për shkak të zhurmës dhe artikulimit. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu ia shpjegova se pikërisht për këtë shkak ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria. Pra, diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese”, ka shkruar Konjufca.
Mirëpo Konjufca militantin e partisë e bëri “pseudogazetar”.
Termi “pseudogazetar” përdoret ndaj një personi që ka devijuar nga zanati dhe bën propagandë për interesa personale, të një grupi të caktuar. I thuhet atij që e quan veten gazetar dhe përdor gjuhë fyese e denigruese ndaj personave që ka në cak. Valton Hasani, militanti i VV-së, nuk është gazetar. Pra, nuk mund t’i thuhet “pseudogazetar”, dikujt që bash haber nuk ka me gazetarinë.
“Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani. Mediat qëllimkëqija, për kushedi çfarë kalkulimesh, e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan rrëfimin e tyre të paqenë. Të gjithë ata që më njohin, e edhe vetë znj. Osmani, me të cilën kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot, e dinë qasjen time në politikë”, sulmoi Konjufca.
Krejt në fund tha se “Për çdo rast, të gjithë atyre që ky konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale i ka lënduar, u kërkoj ndjesë”.









