Kurti prezanton paketën e emergjencës për menaxhimin e mbeturinave

Me një buxhet prej 1 milion eurosh, Qeveria e Kosovës ka nisur një paketë emergjente për menaxhimin e mbeturinave dhe largimin e deponive ilegale në të gjithë vendin, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka theksuar se kjo nismë synon përmirësimin e gjendjes në një sektor që, sipas tij, mbetet ndër më problematikët në sistemin institucional të vendit.

“Buxheti 1 milionë euro, parashihet largimi i 500 deponi ilegale të mbeturinave, në anën tjetër rritja e numrit të të punësuarve dhe rritja e kapaciteteve me theks te pajisjet te kompanitë publike që merren me menaxhimin e mbeturinave por edhe mirëmbajtjen e hapësirave publike të gjelbra”, është shprehur ai.

Ai ka njoftuar shpalljen e një pakete emergjente për këtë fushë, e cila synon pastrimin e deponive ilegale dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

“Sot jemi këtu për të shpallur një paketë të emergjencës në fushën e mbeturinave, aksionin kundër mbeturinave. Ky aksion ka për qëllim të arrij dy efekte: të intervenojë në vendet ku hedhja ilegale e mbeturinave rrezikon ambientin dhe shëndetin, por edhe të shtrojë një rrugë të re ku qeveria nuk rri më duarkryq, por është prijëse e organizimit”, ka deklaruar Kurti.

Kurti, ka deklaruar se sektori i menaxhimit të mbeturinave përbën një nga pikat më të ndjeshme të sistemit institucional në vend dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar.

“Sektori i mbeturinave mund të konsiderohet pika më neuragjike e tërë sistemit institucional në vendin tonë. Mbledhja e trajtimi i mbeturinave kërkon harmoni dhe ekuilibër shoqëror e institucional, gjë që nuk është lehtë e arritshme,” ka deklaruar Kurti.

Ministrja Pacolli-Dalipi: Po nisim ndërhyrjen më të madhe kundër deponive ilegale

Sipas tij, aktualisht vendi përballet me mangësi serioze në këtë sektor, sidomos në zonat jashtë vendbanimeve.

“Prandaj sot kemi një situatë me mangësi serioze në menaxhimin e mbeturinave, dhe kësisoj mendojmë se ky sektor duhet të jetë prioritet i qeverisë,” është shprehur ai.

Kurti ka bërë të ditur se është përgatitur projektligji për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa ka paralajmëruar edhe masa të reja emergjente.

Sipas tij, për realizimin e aksionit janë paraparë marrëveshje me kompanitë rajonale të mbeturinave dhe ndërmarrjet publike, disa prej të cilave tashmë janë nënshkruar.

“Që aksioni të rezultojë i suksesshëm janë paraparë 5 marrëveshje me kompanitë rajonale të mbeturinave dhe kompanitë e tjera publike disa prej të cilave janë nënshkruar”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se aksioni synon gjithashtu rritjen e përgjegjësisë për ndotjen në territor.

“Aksioni kundër mbeturinave, paketa ka për qëllim edhe vendosjen e përgjegjësisë për ndotjen”, ka përfunduar Kurti.