“Mbi 40 mijë profile false”, Ramadani: Ku po shkojnë milionat e VV-së, me sha nënën Rukë e Rifat Jasharin?

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar ashpër gjuhën e përdorur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe eksponentë të saj, ndaj shumf figurave e personaliteteve në Kosovë.

Në emisionin DPT te Fidani, Ramadani ka thënë se janë mbi 40 mijë profile false në rrjete sociale që kanë për qëllim, fyerjet, linçimet dhe denigimin e shumë personave në Kosovë.

“Ne e shohim te profilet false që ka investim tepër të madh, që paguajnë njerëz për t’i bërë këto profile. Për shembull i ndajnë me rajone, Rajoni i Pejës, Rajoni i Mitrovicës…etj. Janë mbi 40 mijë profile false”, ka thënë Ramadani.

Ai ka përmendur edhe rastin e sulmeve ndaj Rifat Jasharit dhe nënës së Ramush Haradinajt.

Rama ka ngritur këtë çështje në formë të pyetjes se ku po shkojnë milionat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ku po shkojnë qata milionat e Vetëvendosjes…me sha nënën Rukë, me sha Rifat Jasharin, me thanë këta janë të Serbisë. Kemi pas gjuhë tepër të ashpër, tepër të rëndë. Alban Krasniqi e ka linçu nënën Rukë për lotët për djemtë e saj të vrarë në luftë. Kjo është marre. Kjo nuk përdoret kërkund në botë “, ka thënë tutje Ramadani.

Ai ka thënë se Vetëvendosje nuk janë distancuar as nga gjuha e Dimal Bashës në punimin e tij, derisa bashkautoren Jana Asovska ky pushtet as nuk e ka shpallur person non grata.