Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të propaganduesit të Vetëvendosjes, Xhevdet Pozhari, duke e akuzuar për shpifje dhe propagandë lidhur me deklarimin e saj të pasurisë.
Në një reagim publik, Lushaku-Sadriu ka sqaruar se në formularin e deklarimit të pasurisë ka evidentuar një transfer prej 94 mijë eurosh nga shitja e një banese familjare në Qerret, duke mohuar pretendimet se bëhet fjalë për një shumë prej 9 milionë eurosh.
“Kam deklaruar një transfer nga shitja e banesës në vlerë prej 94 mijë eurosh, e jo 9 milionë siç po mashtron qëllimshëm dhe me vetëdije propaganduesi Pozhari”, ka thënë ajo.
Deputetja opozitare ka akuzuar më tej Pozharin se po përhap informacione të pavërteta për të mbuluar, sipas saj, “pamundësinë për të rehatuar gruan e tij në Gjykatën Kushtetuese”.
Ajo ka theksuar se një gazetar profesionist do të duhej të verifikonte informacionin para publikimit, duke shtuar se edhe logjikisht, sipas saj, është e pamundur që një banesë të ketë vlerë 9 milionë euro.
Lushaku-Sadriu ka bërë të ditur gjithashtu se çdo gabim teknik në deklarim është adresuar pranë institucioneve përkatëse, përfshirë Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Në fund, ajo ka kritikuar ashpër atë që e quan ndërtim të narrativave propagandistike mbi pavërtetësi, duke shtuar se praktika të tilla dëmtojnë debatin publik dhe shmangin vëmendjen nga problemet reale me të cilat përballet.









