“PDK dhe LDK më keq se Limaj”, Kurti sulmon opozitën për dështimin e tij për presidentin

Albin Kurti nga zyra e kryeministrisë ka kritikuar ashpër PDK-në e LDK-në që ia refuzuan ofertat me qëllim që të sigurojë numrat për të zgjedhur presidentin.

Në një adresim në rrjetet sociale, Kurti ka sulmuar PDK-në e LDK-në duke thënë se po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj.

“Me rezultatin aktual zgjedhor, asnjë parti opozitare nuk ka numra të mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për president pa bashkëpunim ato me njëra-tjetrën”, ka thënë Kurti në adresimin më shumë se pesë minuta.

“Kësisoj, janë bërë oferta për kompromis ndaj partive opozitare, duke u ofruar pozita të rëndësishme në institucione, me qëllim që të arrihet marrëveshje dhe të shmanget bllokimi institucional. Fatkeqësisht, këto oferta gjeneroze janë refuzuar anipse janë shumë të favorshme në raport me numrin e deputetëve që ka opozita.”, ka thënë ai.

Sipas tij, partitë opozitare po duan që ai të mos ketë pushtet.

“Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, ka thënë në fund Kurti.