Jep dorëheqje sekretari i ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, i implikuar në aferën e ambalazhuesve të ujit

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit, Izedin Bytyqi, ka dhënë dorëheqje nga ky post, gati dy vjet pasi ishte kthyer në vendin e punës, pas lirimit nga masa e arrestit shtëpiak si i implikuar në aferën e ambalazhuesve të ujit.

Bytyqi nëpërmjet një emaile ka konfirmuar se nuk do të jetë në pozitën e Sekretarit, teksa nuk ka përmendur arsyet e largimit.

“Shfrytëzoj rastin që të falënderoj ministrin, z. Dimal Basha dhe kabinetin e tij dhe gjithashtu të ju falënderoj juve drejtorëve të departamenteve dhe përmes jush edhe gjithë stafin e Ministrisë për bashkëpunimin e deritanishëm. Ju dëshiroje shëndet, punë të mbarë dhe të gjitha të mirat për juve dhe familjet tuaja”, thuhet në emailin e Bytyqit.

Bytyqi ishte rikthyer në vendin e tij të punës si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në dhjetor të vitit 2024, rreth dy javë pas lirimit nga masa e arrestit shtëpiak nga gjykata.

Bytyqi, ishte arrestuar si i dyshuar për përfshirje në aferën e ambalazhuesve të ujit, ndërkaq, ishte caktuar sërish Sekretar i Përgjithshëm në MMPHI, bazuar në një vendim të nënshkruar nga atëherë ministri Liburn Aliu.

Vendimi e shfuqizon aktin e suspendimit të Bytyqit nga puna, i cili ishte nxjerrë më 11 tetor të vitit 2024, tri ditë pas arrestimit të tij.

“Izedin Bytyqi, Drejtor i Departamentit të Integrimeve Evropiane dhe Koordinim të Politikave në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrakturës, caktohet ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës nga data 19/12/2024 deri me 19/06/2025”, thuhej në vendim.

Vendimi i nënshkruar nga ministri Aliu dyshohet se është në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publik.

Ligji parasheh që shërbyesit civil të cilët janë të proceduar penalisht, pezullohen, raporton Paparaci.

Sipas nënparagrafit 5 të paragrafit 1 të nenit 69 të Ligjit për Zyrtarët Publik, nënpunësi civil pezullohet sipas detyrës zyrtare, në rastin kur “ndaj nënpunëses/it civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të saj/tij”.

I arrestuar pas një aksioni të organeve të rendit në Ministrinë e Mjedisit, Izedin Bytyqi ndodhej nën masën e arrestit shtëpiak nga 9 tetori deri më 5 dhjetor 2024, kur Gjykata e Prishtinës ia ndërpreu atij masën e arrestit shtëpiak.

Bytyqi dyshohet për përfshirje në aferën e ambalazhuesve të ujit të MMPHI-së.

Ai dyshohet për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Shtetit, ai dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare pasi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar për të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL.

Në bazë të raportit të Grupit Ministror vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari pa verifikuar faktet ka nxjerrë vendim me të cilin ua ka zvogëluar borxhet operatorëve ekonomikë.

Para se të ushtrojë funksionin e sekretarit në Ministrinë e Mjedisit, Bytyqi kishte shërbyer edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në kohën kur ministria udhëhiqej nga Arban Abrashi. /Paparaci.com