Për gati një javë vlerësimi i automjeteve për doganim në Doganat e Kosovës është bërë jashtë katalogut ekzistues për shkak se sistemi ka rënë nga përdorimi. Doganat e Kosovës nuk ka dhenë informacione për problemet, por vlerësimi i automjeteve është duke u bërë në bazë të një katalogu jo real.
Sistemi i Doganës së Kosovës për gati një javë është jashtë funksionit dhe këtë problem kanë tentuar ta mbajnë të fshehtë autoritetet doganore.
Paparaci merr vesh se doganimi i veturave nuk është duke u bërë sipas katalogut, por në një formë “paushalle”.
Doganierë në kushte anonimiteti kanë thënë për Paparacin se problemet janë te katalogu për vlerësimin e automjeteve dhe se janë në pritje të katalogut të ri.
Paparaci ka kërkuar përgjigje edhe nga Dogana e Kosovës, mirëpo deri më tani nuk ka marrë informacione në lidhje me këtë problem.
Ndërkaq, një burim tjetër ka thënë se vlerësimi nuk është paushall, por në bazë të një katalogu që nuk është real.
“Katalogu nuk është real, vlerësimi mund të bëhet mirëpo me një katalog që nuk është real. Kerri të vlerësohet, pastaj kur të rregullohet katalogu me një ankesë mundet me u kry”, ka thënë ai.
Sipas tij, procedurat e doganimit të veturës mund të kryhen brenda ditës, mirëpo vlerësimi i automjetit mund të mos jetë i saktë.
“Najnja mundet me dal ma lirë, najnja mundet me dal ma shtrenjtë”, ka thënë ky burim.
Doganat e Kosovës kanë përdorur katalogë të specializuar për vlerësimin e automjeteve. Një prej katalogëve kryesor është ai “Schwacke”.
Ky katalog përdoret për të përcaktuar vlerën e saktë të veturave, e cila më pas shërben për llogaritjen e doganës./Paparaci.com.









