Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, premton se Lista Serbe do të jetë “edhe më e fuqishme” në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme parlamentare. Sot, siç tha ai në një deklaratë për RTS, do të përcaktohen kandidatët në listën zgjedhore të kësaj partie.
“Pres që Lista Serbe në këto zgjedhje që do të mbahen më 7 qershor të jetë edhe më e fuqishme, sepse vetëm kështu mund t’i mbrojmë interesat e popullit serb këtu në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Ellek, transmeton Paparaci.
Duke folur për procesin e ardhshëm zgjedhor, ai tha se “çelësi është uniteti i popullit serb” dhe u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje në numër sa më të madh.
“Është me rëndësi që më 7 qershor të dalim sa më shumë në vendvotime, të mos i shpërndajmë votat tona dhe të mos u japim mbështetje satelitëve të Kurtit”, ka pretenduar Ellek, duke pranuar se serbët janë lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore në Kosovë.
Ai ka shtuar se Kryesia e Listës Serbe gjatë ditës do të mbajë një takim në të cilin do të përcaktohen kandidatët për zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Duke iu referuar kushteve zgjedhore, Ellek ka vlerësuar se Lista Serbe përsëri “është privuar nga përfaqësuesit në disa komisione komunale zgjedhore”, duke thënë se ky është “diskriminim institucional”.
“Kjo është dëshmi se disa qendra të pushtetit në Prishtinë dëshirojnë ta dobësojnë Listën Serbe dhe, siç e quan ai, “popullin” serb”, ka thënë Zllatan Ellek./Paparaci.com









