Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, mori vendim personal për t’i dhënë fund shërbimit të tij në këtë vend, njoftoi Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë (OHR) më 11 maj.
Sipas njoftimit, Schmidt e informoi për këtë vendim Bordin Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) dhe kërkoi që të nisë procesi për emërimin e pasardhësit të tij.
Ai theksoi se do të vazhdojë të kryejë detyrën e përfaqësuesit të lartë gjatë procesit të zgjedhjes së pasardhësit, duke shtuar se “komuniteti i bashkuar ndërkombëtar mbetet i pazëvendësueshëm për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe për përparimin e saj drejt aspiratave euroatlantike”.
Schmidt u bëri thirrje qytetarëve dhe liderëve politikë nga të dyja entitetet dhe të gjitha nivelet e pushtetit që t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre dhe, së bashku me pasardhësin e tij, të punojnë për zbatimin e reformave dhe arritjen e përparimit kyç në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë e ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe të sigurojë që institucionet shtetërore funksionojnë sipas saj.









