Lautaro Martínez ka fituar përfundimisht edhe betejën ligjore kundër ish-përfaqësuesve të tij të “NF Consulting”. Gjykata e Apelit e Milanos konfirmoi se sulmuesi argjentinas nuk duhet të paguajë asnjë dëmshpërblim prej 8 milionë eurosh, duke rrëzuar plotësisht kërkesat e agjentëve dhe ribërë të vlefshëm vendimin e shkallës së parë.
Vendimi konfirmon sentencën e Gjykatës së Milanos të vitit 2024, e cila kishte refuzuar tashmë pretendimet ekonomike të ngritura ndaj kapitenit të Interit. Si pasojë, Lautaro nuk do t’u detyrohet asnjë shumë ish-agjentëve të tij.
Mbrojtja e futbollistit arriti të provojë se kontrata e mandatit, e lidhur me transferimin e sulmuesit nga Racing Club tek Interi në vitin 2018, megjithëse ishte depozituar formalisht pranë Komisionit të Agjentëve Sportivë të FIGC, nuk ishte regjistruar në përputhje me rregulloret federale dhe nuk përmbushte disa kërkesa thelbësore të parashikuara nga rregullorja e FIGC.
Gjykatësit e Apelit të Milanos theksuan se këto rregulla “nuk përbëjnë thjesht formalitete burokratike, por garanci thelbësore për mbrojtjen e transparencës, korrektësisë dhe sigurisë së marrëdhënieve sportive, respektimi i të cilave është i domosdoshëm që këto marrëdhënie të prodhojnë efekte dhe të mund të njihen ligjërisht edhe nga rendi juridik shtetëror”.
The post Lautaro Martinez fiton edhe në gjykatë, bie poshtë dëmshpërblimi 8 milionë eurosh për agjentët appeared first on Telesport.









