Kryeministri Albin Kurti ishte sot pjesë e panelit me temë “Ku përfundon Evropa – vizion dhe pragmatizëm në kohë trazirash gjeopolitike”.
“Pata kënaqësinë të hap panelin dhe ta përmbyll atë në diskutimin me temën ‘Ku përfundon Evropa – vizion dhe pragmatizëm në kohë trazirash gjeopolitike’, me ç’rast theksova rëndësinë e unitetit, qartësisë dhe vendimmarrjes së guximshme nga progresistët evropianë në një moment kur presionet globale po rriten”.
“Si kryeministër i një vendi nga Ballkani Perëndimor siç është Republika e Kosovës, ndava bindjen se rajoni ynë nuk duhet të shihet si periferi e Evropës, por si pjesë integrale e saj, historikisht, kulturalisht dhe politikisht. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm aspiratë, por nevojë për demokraci më të fortë, zhvillim ekonomik dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin dhe vetë kontinentin”.
Kurti tha se foli edhe për vonesat në procesin integrues dhe se si e prekin këto vendin.
“Përgjatë diskutimit gjithashtu theksova se vonesat në procesin e integrimit krijojnë hapësirë për ndikime të jashtme dhe rreziqe gjeopolitike, prandaj duhet një qasje më e vendosur dhe më e shpejtë ndaj zgjerimit të BE-së. Në këtë kuptim, vizioni dhe pragmatizmi sot nënkuptojnë integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor si pjesë e projektit evropian”.
“Duhen bërë reformat për progres. Duhet të jemi bashkë që të jemi të sigurtë. Evropa fillon në shtëpi dhe përfundon në vijat e frontit të solidaritetit, në Ukrainë, në Moldavi, në Gjeorgji dhe kudo ku mbrohen vlerat demokratike. Është detyrë e neve të gjithëve të jemi të zgjuar dhe të veprojmë në përputhje me këtë përgjegjësi”.









