Shkolla si mision, midis përgjegjësisë sonë dhe të ardhmes së nxënësit

Shkruan Burim Gjaka

Sot, drejtuesit e institucioneve arsimore përballen me një realitet jo vetëm sfidues, por edhe thellësisht reflektues, që shpesh nxjerr në pah boshllëqet ndërmjet misionit të shkollës dhe praktikës së përditshme. Në këtë realitet, hapësirat institucionale shndërrohen jo rrallë në vende ku raportohen probleme disiplinore. Megjithatë, përtej tyre shtrohet një pyetje thelbësore:

Sa po bëjmë ne si institucione arsimore dhe veçanërisht personeli mësimdhënës, për ta orientuar nxënësin në rrugën e duhur, përpara se ta “gjykojmë” atë?

Emri “Mësues” – titull apo përgjegjësi morale?

Në vijim të këtij reflektimi, shtrohet natyrshëm pyetja mbi kuptimin e vërtetë të rolit të mësuesit. Të jesh mësues nuk është thjesht ushtrim i një profesioni brenda orarit të punës; është një mision që formëson të ardhmen e shoqërisë.

Nelson Mandela ka thënë: “Arsimi është arma më e fuqishme të cilën mund ta përdorni për të ndryshuar botën.”

Që kjo “armë” të ketë efekt ndërtues, mësuesi duhet të jetë burimi i parë i frymëzimit. Megjithatë, në praktikë shpesh hasen qasje ku pritet gabimi i radhës i nxënësit për ta ndëshkuar atë, qoftë përmes notës, qoftë përmes masave tjera. Kur mësuesi perceptohet si burim frike dhe jo si udhërrëfyes, dëshira për dije zbehet që në fillim. Kjo na rikthen domosdoshmërisht te vetëreflektimi profesional: a jemi duke e ushtruar rolin tonë si formues dhe udhëzues, apo po e reduktojmë atë në një funksion kontrollues?

Nota si “shpatë” dhe rreziku i largimit të nxënësit nga dija

Në këtë kuadër, një nga praktikat që kërkon vëmendje të veçantë është mënyra e përdorimit të notës. Në jo pak raste, vetë mësimdhënësit dhe ne si drejtues që nuk kemi ndërhyrë sa duhet në kohë, kemi lejuar që nota të shndërrohet në mjet presioni dhe jo në instrument vlerësimi.

Kur nota përdoret si “shpatë” për të imponuar autoritet, ajo e humb funksionin e saj edukativ. Vendosja e një note të dobët është veprimi më i lehtë. Por sfida e vërtetë qëndron në aftësinë për të kuptuar mungesën e motivimit dhe për të ndërtuar qasje që e rikthejnë nxënësin në procesin e të nxënit. Në këtë pikë ndahet administrimi formal nga profesionalizmi pedagogjik.

Të miturit nuk arsyetohen – ata orientohen

Në vijim, duhet pranuar se ekzistojnë nxënës me sjellje problematike, si dhe raste të mungesës së mbështetjes prindërore, që e vështirësojnë punën e përditshme në shkolla. Megjithatë, ky realitet nuk mund të shërbejë si arsye për dorëzim profesional.Nxënësit janë të mitur dhe në proces formimi. Për këtë arsye, ata nuk duhet thjesht të arsyetohen, por të orientohen në mënyrë të qëndrueshme dhe profesionale. Nëse ne si mësimdhënës heqim dorë nga kjo përgjegjësi, atëherë humbet vetë thelbi i rolit tonë edukativ.

Jean Piaget theksonte:“Qëllimi kryesor i arsimit duhet të jetë krijimi i njerëzve që janë të aftë të bëjnë gjëra të reja, jo thjesht të përsërisin atë që kanë bërë brezat e tjerë.”

Ky qëllim arrihet vetëm përmes metodologjive aktive, durimit profesional dhe një qasjeje që e vendos nxënësin në qendër si individ me potencial unik.

Përgjegjësia jonë kolektive: nga drejtoria te klasa dhe institucionet arsimore

Në këtë pikë bëhet e qartë se përgjegjësia nuk mund të mbetet e fragmentuar. Ajo është kolektive dhe shtrihet nga drejtuesit e institucioneve deri te çdo mësimdhënës në klasë, por edhe te institucionet që formësojnë politikat arsimore.

Në këtë zinxhir të përgjegjësisë arsimore, një rol të rëndësishëm e mbajnë edhe institucionet komunale të arsimit, si dhe niveli qendror i politikëbërjes arsimore. Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk janë vetëm struktura administrative, por hallkë kyçe në garantimin e standardeve profesionale, në mbështetjen e shkollave dhe në krijimin e një komunikimi funksional ndërmjet politikave dhe praktikës shkollore. Ndërkohë, edhe MASHT-i mban përgjegjësi thelbësore në hartimin e politikave arsimore, kurrikulave dhe mekanizmave të vlerësimit, të cilat shpesh përcaktojnë drejtpërdrejt klimën dhe drejtimin e punës në shkolla. Nëse këto politika nuk janë mjaftueshëm të harmonizuara me realitetin praktik në terren, krijohet një hendek që reflektohet në cilësinë e procesit mësimor. Prandaj, fuqizimi i bashkëpunimit ndërinstitucional mbetet domosdoshmëri për të shmangur fragmentarizimin e përgjegjësisë dhe për të ndërtuar një sistem më koherent, më të drejtë dhe më efektiv.
Megjithatë, ndryshimi real ndodh në klasë, aty ku zhvillohet ndërveprimi i drejtpërdrejtë me nxënësin dhe ku matet cilësia e vërtetë e arsimit. Për këtë arsye, është e domosdoshme kalimi nga kultura e ndëshkimit drejt kulturës së angazhimit dhe zhvillimit.

Ky transformim mbështetet në disa shtylla thelbësore:

Mësuesi si model: Mësuesi përfaqëson integritetin profesional dhe pedagogjik. Respekti i nxënësit nuk imponohet, por fitohet përmes drejtësisë, qëndrueshmërisë dhe përkushtimit.

Bashkëpunimi me prindërit: Edukimi është proces i përbashkët. Edhe kur bashkëpunimi nuk është në nivelin e dëshiruar, shkolla duhet të mbetet faktor këmbëngulës për komunikim dhe përfshirje në interes të fëmijës.

Vetëreflektimi profesional: Çdo përmirësim fillon me vetëkritikë. Pyetja themelore mbetet: a po bëjmë mjaftueshëm që çdo nxënës të ndihet i përfshirë dhe i vlerësuar në procesin mësimor?

Përfundim

Në përmbyllje, duhet theksuar se shumica e nxënësve janë fëmijë me potencial të madh, të cilët kanë nevojë për orientim të duhur, mbështetje dhe qasje profesionale. Humbja e tyre për shkak të metodave të tejkaluara apo qasjeve të gabuara përbën një dështim që nuk mund të normalizohet.

Megjithatë, është po aq e rëndësishme të theksohet se sistemi ynë arsimor përfshin shumë mësimdhënës të përkushtuar dhe profesionistë të shkëlqyer, si dhe drejtues institucionesh që me përgjegjësi dhe vizion arrijnë të ndërtojnë klimë pozitive dhe zhvilluese në shkollat e tyre.

Këto praktika dëshmojnë se cilësia dhe përkushtimi janë të pranishme dhe se ndryshimi nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i mundshëm.

Misioni ynë mbetet fisnik, por kërkon guxim të vazhdueshëm, guxim për vetëkritikë, për përmirësim dhe për marrje të plotë të përgjegjësisë profesionale.

Le të jemi ne ata që ndezin dritë në mendjet e nxënësve tanë, duke ndërtuar jo vetëm dije, por edhe dinjitet, besim dhe orientim në jetë. Sepse, siç shprehet një thënie e njohur:

“Nxënësit mund të harrojnë çfarë u kemi mësuar, por nuk do të harrojnë kurrë se si i kemi bërë të ndihen.”