Në dosjen hetimore “Black Eagle”, një nga emrat që sipas SPAK ka rol kyç në trafikun e kokainës është edhe biznesmeni Orest Sota. Sipas materialeve hetimore, në komunikimet që ai ka pasur me trafikantin Alfredo Hamzai evidentohen dyshime për investimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës në sektorin e ndërtimit, por edhe në prokurime publike në Shqipëri.
Sipas SPAK, Alfredo Hamzai jo vetëm që furnizonte Orest Sotën me lëndë narkotike në vende të ndryshme, si Greqia, Anglia dhe Italia, por biznesmeni dyshohet se ka marrë edhe pagesa nga grupi kriminal për t’u siguruar informacione policore lidhur me ekzistencën e hetimeve ndaj tyre.
Në një nga komunikimet mes dy personave evidentohet fakti se paratë që Sota dyshohet se përfitonte nga trafiku i lëndëve narkotike i përdorte për të marrë leje ndërtimi. Në komunikimin e datës 18 gusht 2020, Sota i propozon Alfredo Hamzait shitjen e një sasie lënde narkotike. Nga analiza e komunikimeve rezulton se lënda narkotike ndodhej në Romë, Itali. Hamzai bie dakord paraprakisht me Sotën, por nuk pranon çmimin e vendosur, pasi lënda kishte erë djegëse.
Komunikimi për këtë sasi lënde narkotike vijon edhe në datën 25 gusht 2020, ndërsa Orest Sota kërkon me ngulm të sigurojë para, pasi, sipas tij, i duheshin për një leje ndërtimi.
“…dhe sa lekë mundesh të më bësh vet për këtë mut leje se po paguaj penalitete dhe babait i mora ato atëherë lash nam o vlla”, thuhet në bisedën e zbardhur në dosjen e SPAK.
Sota: Tani kam 10 copë në IT. I do ti të mi bësh lek këtu? Se kam ca lek për të mbledh.
Hamzai: Po në Itali ku?
Sota: Në Romë. Dhe sa lekë të mundësh të më bësh vet për këtë mut leje se po paguaj penalitete dhe babit i mora ato atëherë, lash nam o vlla.
Hamzai: Ja të flas.
Sota: O vëlla.
Në një tjetër moment të hetimit, rezulton se Orest Sota është përfshirë edhe në transportin e parave cash. Në komunikimet e zbardhura nga aplikacioni SkyECC, Alfredo Hamzai i shkruan Sotës se ku duhet të shkojë për të marrë paratë dhe shumat përkatëse.
Në një bisedë të zhvilluar më 27 qershor 2020, Orest Sota i kërkon Alfredo Hamzait t’i dërgojë para, duke u shprehur se ia kishte kërkuar ky “i pallatit”. Në bisedë nuk specifikohet se për cilin pallat bëhet fjalë.
“Shiko, dërgo ndonjë lek se më vdiq ky i pallatit vëlla, dhe nuk ka faj. Plus i mora dhe këtyre të shpisë vk. Dhe më vjen zorr tani nuk po di çfarë të bëj. Shiko të bëjmë diçka vëlla, se nuk po i mbaj më”, është mesazhi që Sota i ka dërguar Hamzait.
Megjithatë, lëndët narkotike dhe pastrimi i parave në Shqipëri nuk duket se ishin aktivitetet e vetme të Sotës, pasi ai rezulton të ketë pasur aktivitet edhe në tendera publikë. Të paktën këtë sugjeron një episod i përfshirë në dosjen e SPAK, ku në bisedat mes dy personave nën hetim përmendet një tender.
Konkretisht, në komunikimin e datës 27 nëntor 2020, Sota shkruan se ka marrë 300 mijë euro, nga të cilat 200 mijë euro ia ka marrë “djalit nga Roma” dhe 100 mijë euro “djalit nga Den Hagu”, ndërsa dërgon edhe fotografi të kartëmonedhave euro të lidhura në tufa.
Në vijim, Orest Sota shkruan se ka bërë “800 për tenderin”, çka, bazuar në mënyrën e komunikimit, nënkuptohet se bëhet fjalë për 800 mijë euro të lidhura me një tender, të cilin ai nuk e përmend në asnjë moment të komunikimit.
Sota: Djalit nga Roma ja mora 200, dhe atij në Den Hag 100. Është dhe një aty që mi bën me ndërrim. Kemi mundësi më? Ndërsa lekët e tenderit 800 euro.
Hamzai: Ja sa të filloj nesër gjërat, pata vonesë pak ditë nga produktet, e marr vesh.
Sota: Kur dalin gjërat, si mendon ti vlla?
Hamzai: Po vlla, ok në rregull. Vonesa është për produktet që vijnë nga larg.
Biznesmeni ka rënë në pranga me urdhër të SPAK. Orest Sota është një emër i njohur në disa hetime që kanë përfshirë zyrtarë të lartë. Kujtojmë se për herë të parë emri i tij doli në skenë në vitin 2017, pasi u kap duke qarkulluar me automjet me 863 mijë euro dhe me patentën e ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Megjithatë, kjo çështje u pushua më pas.
Në prill të këtij viti, Sota u paraqit në SPAK, ku qëndroi për rreth pesë orë duke dhënë shpjegime lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj AKSHI-t, çështje për të cilën rezulton në kërkim edhe Ergys Agasi, me të cilin Sota njihet për lidhje miqësore. Po ashtu, Sota rezulton të ketë qenë ish-ortak në kompaninë Equos, në pronësi të Agasit. Në SPAK, Sota është pyetur edhe për lidhjen me Agasin.
Kompania që është në pronësi të babait të tij ka përfituar leje ndërtimi për kulla në kryeqytet. Në dhjetor të vitit 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi vendimin “Për miratimin e lejes së zhvillimit për projektin ‘Tirana Gjergj Fishta Residential Complex’”. Kulla ndodhet në bulevardin “Bajram Curri”, në zonën që tiranasit e njohin si “NSHRAK”.
Projekti i miratuar parashikonte ndërtimin e ambienteve të reja me funksion rezidencial dhe shërbimesh, me godina prej 2, 4, 5, 7, 9, 11, 12 dhe 18 kate mbi tokë, si dhe 4 kate nëntokësore, në Tiranë. Por, pas tre vitesh, gjithçka ndryshoi. Projekti i kullës, ende pa nisur, pësoi ndryshime të konsiderueshme: lartësia e saj u trefishua, ndërkohë që sipërfaqja totale e ndërtimit u shtua me mbi 50 mijë metra katrorë.
Kështu, më 25 prill 2023, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), sërish nën drejtimin e Edi Ramës, miratoi vendimin “Leje zhvillimi për objektin: kompleks hotelerie, rezidencial dhe shërbime ‘Lana Riverside Residences’”, me adresë në bulevardin “Gjergj Fishta”, Tiranë.







