Komunikimi në distancë, Abdixhiku përsëri me mesazh për Kurtin, i vë një kusht

Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku i është drejtuar publikisht kryeministrit Albin Kurti me një mesazh të drejtpërdrejtë lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje politike mes LDK-së dhe Qeverisë.

Përmes një postimi, Abdixhiku ka kërkuar nga Kurti që të sqarojë nëse synon një marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës apo sigurimin e 90 votave në bashkëpunim edhe me PDK-në.

“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se, në rast se Kurti synon marrëveshje me LDK-në, atëherë duhet të nisë komunikimi i drejtpërdrejtë mes palëve, duke shtuar se LDK-ja merr përgjegjësi për propozimin e presidentit.

“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmani, nëse na i garantoni 66 vota për të”, ka shtuar ai.

Deklarata e Abdixhikut vjen në një kohë të diskutimeve politike për sigurimin e shumicës së nevojshme në Kuvend dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit.