Avdullah Hoti e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për dështim në menaxhimin e projekteve kapitale.
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka listuar tetë projekte të nisura në pesë vitet e Qeverisë Kurti, të cilat nuk kanë përfunduar ende.
Sipas Hotit, buxheti i shpenzuar për projekte kapitale vlen 2.7 miliardë euro.
Postimi i plotë:
I kanë shpenzuar 2.7 miliardë euro buxhet në shpenzime kapitale gjatë viteve 2021–2025, por nuk mund t’i përmendin tri projekte madhore të vetme që i arsyetojnë gjithë këto shpenzime.
Gjithë ky buxhet i shpenzuar do të mund të arsyetohej sikur të ishin përfunduar se paku disa nga projektet e premtuara:
- Autostrada e Gjilanit,
- Hekurudha Prishtinë–Durrës (të ishte nisur),
- Rruga dhe tuneli Prizren–Tetovë,
- Autostrada Prishtinë–Merdarë,
- Lidhja e dy autostradave ekzistuese përmes segmentit Lipjan–Shtime–Duhël,
- Aeroporti i Gjakovës,
- Rrugët rajonale për Pejë, Podujevë, Mitrovicë e Gjakovë, dhe segmente të tjera më të vogla,
- Centrali me gaz.
Por, asnjë nga këto projekte nuk është përfunduar. Disa prej tyre as që janë nisur.
A ka qenë e mundur të përmbylleshin shumica e këtyre projekteve, ndërkaq disa prej tyre të ishin duke u realizuar? Absolutisht që po.
A ka pasur buxhet të mjaftueshëm për këto projekte? Absolutisht që po. Disa ishin të parapara në buxhetin e rregullt, e disa me kredi dhe mbështetje ndërkombëtare.
Imagjinoni ekonominë e Kosovës me këto projekte të përfunduara:
* më i lehtë do të ishte qarkullimi i mallrave,
* më pak kohë dhe shpenzime do të duheshin për udhëtim nga cilido qytet për në Prishtinë,
* më lirë do të kushtonte energjia elektrike?
* miliarda euro do të futeshin në qarkullim, të cilat do të gjeneronin mijëra vende të reja pune dhe rritje ekonomike më të lartë,
* do të përmirësohej ambienti i të bërit biznes në Kosovë pasi kostoja e rë bërit biznes do të ulej.
Kosovës i duhet një qeveri normale që menaxhon zhvillimin ekonomik. Kosovës nuk i duhet një qeveri që krijon kriza, e pastaj merret me menaxhimin e tyre.









