Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Alisa Jetullahu, ka shprehur mirënjohjen e saj për pritjen dhe mbështetjen e bashkatdhetarëve në Zürich të Zvicrës, gjatë një aktiviteti me mërgatën shqiptare.
Përmes një postimi në Facebook, Jetullahu ka përshkruar atmosferën e krijuar në tubim si të jashtëzakonshme, duke theksuar dashurinë dhe energjinë që diaspora i ka dhënë asaj dhe përfaqësuesve të LDK-së.
“Çfarë momente të paharrueshme në Zürich. Nuk kam fjalë me e përshkru atmosferën, dashninë dhe energjinë që na e dha diaspora jonë sot në Zürich”, ka shkruar ajo.
Sipas kandidates së LDK-së, takime të tilla dëshmojnë forcën e subjektit politik dhe lidhjen e ngushtë që anëtarët dhe mbështetësit e saj kanë me njëri-tjetrin, pavarësisht se ku jetojnë dhe veprojnë.
Jetullahu ka theksuar se përkrahja e diasporës mbetet një motivim i rëndësishëm për angazhimin politik dhe për synimet e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme.









