Direkt nga Ura e Ibrit, kush po e ruan atë? (VIDEO)

KFOR-i ka nisur procesin gradual të ndryshimit të pranisë së përhershme në Urën e Ibrit, ndërsa një proces i ngjashëm pritet edhe në Manastirin e Deçanit.

Gazetarja Altiana Zogaj, në lidhje direkte në “Edicionin Special” të Klan Kosovës, tha se ky proces po zhvillohet në koordinim me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Ky ka nisur si një proces gradual realisht për ndryshimin e pranisë së përhershme të KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër. Sipas KFOR-it, ky vendim është marrë në kuadër të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe njëkohësisht synon optimizimin e pozicionimit të trupave. Në këtë proces i cili është përmendur gjatë gjithë ditës së sotme dhe përmes një komunikate të lëshuar për media thuhet se do të zhvillohet krejtësisht në mënyrë të koordinuar dhe në koordinim kuptohet me institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, policinë e Kosovës dhe gjithashtu EULEX-in. KFOR-i ka theksuar se pavarësisht ndryshimit të pozicionimit në urë do të vijojë me këtë prani të dukshëm në pjesën veriore ashtu dhe në atë jugore të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës”, tha Zogaj.

Ajo bëri të ditur se KFOR-i do të vazhdojë të ketë prani në veri dhe jug të Mitrovicës, ndërsa është i gatshëm të reagojë ndaj çdo zhvillimi.

Reduktimin e pranisë së KFOR-it në Urën e Ibrit e ka kundërshtuar Lista Serbe, e cila ka kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash.

Sipas Zogajt, disa qytetarë e kanë mirëpritur vendimin, ndërsa të tjerë janë shprehur të shqetësuar, duke e konsideruar praninë e KFOR-it si garanci për sigurinë.