Behrami i ashpër ndaj Kurtit: I pabesë ndaj Kushtetutës, po do ta imponojë 27 dhjetorin si datë të zgjedhjeve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën politike dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Behrami në “Edicionin Special” të Klan Kosovës, ka thënë se Kosova po kalon një periudhë të rëndë institucionale

“Republika e Kosovës është duke përjetuar periudhën më të rëndë dhe më të errët të historisë së saj që nga shpallja e Pavarësisë më 2008. Për herë të parë në historinë tonë Republika e Kosovës është në një vakum edhe të institucioneve, por edhe të rendit kushtetues”, është shprehur ai.

Behrami është shprehur se Vetëvendosja po refuzon ta konstituojë Kuvendin, edhe pse, sipas tij, i ka votat e mjaftueshme.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka votat e mjaftueshme, i ka mbi 61 vota për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe ne së bashku për t’i zgjedhur nënkryetarët dhe për ta konstituuar Kuvendin e Republikës së Kosovës. Vetëvendosja refuzon sepse ato tashmë kanë kalibruar saktë një datë të zgjedhjeve, e cila është 27 dhjetori”, ka deklaruar Behrami.

Sipas tij, për të arritur këtë qëllim, Vetëvendosja është e gatshme të shkelë Kushtetutën dhe ligjet.

“Për ta jetësuar këtë datë, ata janë në gjendje që të shkelin Kushtetutën, t’i shkelin ligjet, t’i shkelin normat demokratike, që të përmbysin krejt rendin kushtetues”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Behrami ka qenë veçanërisht kritik ndaj Kurtit, duke u shprehur se ai po tregohet i pabesë ndaj Kushtetutës.

“Edhe njëherë z.Kurti, bashkë me përfaqësuesit e Vetëvendosjes, po tregohet i pabesë ndaj Kushtetutës, ndaj shtetit të Kosovës. Po mundohet që në mënyrë të dhunshme, në mënyrë jashtëligjore, jashtëkushtetuese të imponojë një datë të zgjedhjeve që është 27 dhjetori, veç pse aty sheh shanse që të marrë një shumicë solide”, ka shtuar Behrami./