Behrami për protestat: Kurti s’njeh gjuhë tjetër, rruga do të jetë përgjigja përfundimtare për të

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Berhami ka hedhur kritika të shumta ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, ai ka folur edhe për mundësinë e organizimit të protestave, duke thënë se do të përdoren të gjitha mekanizmat për ta ndalë, siç ka thënë ai, rrënimin e shtetit.

“Kurti nuk njeh gjuhë normale, ai e njeh vetëm gjuhën e rrugës dhe mendoj se kjo do të jetë përgjigja e fundit për rrugëtimin e tij politik, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga dramat, krizat dhe nga kjo tendencë për diktat dhe dominim. Qytetarët i kanë parë qëllimet e tij djallëzore dhe unë jam i bindur do të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat për të kundërshtuar këtë tendencë që Kosova të shndërrohet në një autokraci.”, ka deklaruar Behrami.

Ai ka thënë se PDK-ja do të përdorë të gjitha mekanizmat për të ndaluar, sipas tij, veprimet e Kurtit që po e rrënojnë shtetin.

Shkelja e afateve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, ai i ka cilësuar si të qëllimshme të Kurtit, duke synuar që vendi të dërgohet sërish në zgjedhje në fund të dhjetorit.

Behrami ka thënë se PDK-ja i sheh edhe protestat si veprim konkret për ta “ndalë këtë çmenduri”.

“Prandaj PDK, besoj edhe tjera parti dhe qytytarë, tashmë i kanë shterrur rrugët ligjore dhe kushtetuese. Kurti më lehtë shkelë mbi Kushtetutën se gjithçka tjetër dhe ai nuk e ka fare problem, madje shkeljen e Kushtetutës e bën si patriotizëm. Ata që e kanë hartuar Kushtetutën nuk e kanë menduar se ndonjëherë në Kosovë do të vijë në pushtet një mendësi e çmendur.”, ka deklaruar Behrami. /