Analisti politik, Albert Krasniqi ka reaguar rreth deklarimit të pasurisë për zyrtarët e shtetit.
Ai ka thënë se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publik po shpërfaq mjaftueshëm se çfarë sektori fitimprurës është politika.
“Aty e kupton që paga e shtetit është me shumë “bereqet”. Me një rrogë arrin të jetosh në luks, të blesh prona dhe të kursesh pa problem. Ndërkohë, me të njëjtën rrogë në sektorë të tjerë, njerëzit mezi e mbyllin muajin”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook.
“Pastaj, sapo hyn në pushtet, rritet edhe dashuria familjare. Papritmas trashëgon dy-tri prona këtu, disa asete atje – edhe kur familjarët nuk janë fort të njohur për ndonjë aktivitet ekonomik”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se deklarimet po zbulojnë edhe dimensionin kulturor që kanë këta zyrarë.
“Deklarimet na zbulojnë edhe një dimension kulturor të panjohur: prindërit tanë, në kushte të rënda jetese dhe të rritur nën okupim, paskan qenë koleksionistë të mëdhenj arti. Në mes të varfërisë, kanë arritur të lënë trashëgimi piktura me vlera milionëshe – për lakmi edhe nga baronët më të mëdhenj europian”, ka shkruar ai.









