Kuvendi i Kosovës ka vendosur për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Vendimi kaloi me 89 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se dërgimi i ushtarëve të Kosovës në operacione të tilla krijon besim te aleatët ndërkombëtarë.
“Më datën 30 mars të këtij viti, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 197-të ka aprovuar propozim-vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza.
Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate, mbi bazën e ftesës së pranuar nga Komanda Qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të nënshkruar me datë 8 dhjetor e e pranuar me datën 10 dhjetor 2025 në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe që i referohet Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vullnetit politik të shprehur në botën e paqes, si dhe ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ka iniciuar procedurat për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht si pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza”, tha Maqedonci.
“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare stabilizuese, e cila për mision ka të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare stabilizuese.”









