Shala: Hashim Thaçi të mos premtojë asgjë, taksa 100 për qind nuk do të hiqet për Serbinë
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk mund të jap premtime të tilla për heqjen e taksës ndaj shtetit të Serbisë, sepse siç deklaroi ai, taksën e ka vendosur Qeveria e Kosovës me propozimin e tij si ministër dhe jo presidenti.
Ai në një prononcim për Kallxo.com theksoi se përderisa nuk eliminohen arsyet pse kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës të ndërmarrë një hap të tillë, kjo taksë nuk do të largohet.
“Përderisa ekzistojnë arsyet të cilat neve si Qeveri e Republikës së Kosovës na kanë shty me vendosë këtë taksë, do të thotë arsyet të cilat unë i kam prezantuar, kur e kam propozuar vendimin për këtë taksë, atëherë asnjëherë kjo taksë nuk do të eliminohet”, ka deklaruar ministri Shala.
Nëse presidenti Thaçi ka një kërkesë të tillë, atëherë sipas Shalës, këtë kërkesë duhet ta sjellë në Qeveri për shqyrtim dhe të vendosë qeveria.
Ai tha se deri në këto momente nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë as nga presidenti as nga delegacioni i Kosovës për dialog me Serbinë.
“Presidenti tash s’di çka po merret me këto punë. Këto janë punë të delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për negociata. Kur ata na sjellin neve si qeveri një kërkesë ku thonë se kjo taksë duhet të hiqet për arsye se kemi arritur ta realizojmë këtë… E realizimi i tyre nënkupton arsyet që na kanë shty neve me vendosë taksën, atëherë unë si ministër i Tregtisë mundem me propozu me heq një taksë të tillë”, vazhdoi tutje ministri.
Mirëpo, ministri Shala ritheksoi se “përderisa ato arsye nuk eliminohen, unë si ministër kurrë në jetë nuk kam me propozu një heqje të një takse të tillë”.