“Ma montuan rastin kinse vodha pajisje mjekësore, drejtori më ngacmoi seksualisht” (VIDEO)

Gjykata Supreme e ka shpallur të pafajshme instrumentaren e Klinikës së Neurokirurgjisë në QKUK, F.P., e cila akuzohej se në dhjetor të vitit 2023 kishte tentuar të përvetësonte 11 klipa mjekësorë në vlerë prej 2 mijë e 750 eurove.

Supremja rrëzoi vendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, duke konstatuar se nuk ka prova materiale dhe as dëshmi bindëse që vërtetojnë se ajo i kishte hedhur klipat në shportën e mbeturinave.

Ndërkohë, drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Besnik Elshani, ka mohuar akuzat e instrumentares për kërcënime, presion dhe ngacmim seksual, duke thënë se ajo ishte thirrur në bisedë vetëm për çështje pune dhe mungesën e materialeve shpenzuese. Edhe neurokirurgu Berat Kerolli i ka mohuar akuzat ndaj tij, ndërsa ka deklaruar se F.P. ishte konsideruar nga stafi si person i dyshuar për humbje materialesh.

Përveç rastit penal, F.P. e ka paditur edhe ShSKUK-në, duke pretenduar se pas rastit të klipave iu ndërrua katër herë vendi i punës pa pëlqimin e saj dhe se u degradua profesionalisht. Ajo kërkon që gjykata ta rikthejë në pozitën e instrumentares, ku kishte punuar për rreth 23 vjet.