Pas 26 vitesh në polici, dhëndrri i Hashim Thaçit largohet nga puna: Do ta mbaj kokën lart

Eprori i lartë i Policisë së Kosovës, Arben Visoqi, ka bërë të ditur se është larguar nga puna pas 26 vitesh shërbimi, pas përfundimit të një procedure disa mujore disiplinore.

Ai tha se vendimi është marrë për shkak të postimeve private në Facebook, të cilat, sipas tij, janë cilësuar si “shkelje e rëndë disiplinore” dhe si cenim i imazhit të Policisë së Kosovës.

Visoqi pretendon se procedura ndaj tij është iniciuar pas një ankese anonime nga Vetëvendosje dhe se rasti është përdorur si hakmarrje për raportet sinjalizuese që, sipas tij, kishte bërë ndaj disa zyrtarëve brenda Policisë.

“Në vend që të zbatojë ligjshmërinë për hetimin e raporteve sinjalizuese dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës gjen mënyrën më të lehtë: kundërligjshmërinë, qyqarllekun dhe dorëzimin para krimit”, ka shkruar ai.

Ai akuzoi gjithashtu Vetëvendosjen se ka ndërhyrë në rastin e tij dhe pretendoi se janë “falsifikuar elemente të Facebook-ut” që më pas janë përdorur në procedurën disiplinore. Visoqi theksoi se këto pretendime do t’i adresojë në rrugë ligjore dhe se “tani më mbetet ta mbroj të drejtën time në Gjykatë dhe në instanca tjera”.

Visoqi tha se, pavarësisht vendimit, mbetet krenar për punën e tij dhe 26 vitet e shërbimit në Policinë e Kosovës.

“Do ta mbaj kokën lartë edhe tani, dhe gjithmonë!”, ka shkruar ai, duke falënderuar qytetarët, familjarët, mediat dhe kolegët për mbështetjen.

Arben Visoqi është gjithashtu dhëndër i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhje familjare që ai vetë e përmendi në reagimin e tij, duke thënë:

“Privilegj të jem dhëndërr i Hashim Thaçit”. Pretendimet e bëra nga Visoqi për arsyet e largimit dhe për ndërhyrje politike mbeten për t’u verifikuar nga institucionet përkatëse.